Rama drekon me një çift pensionistësh
Kryebashkiaku Edi Rama ka drekuar dje në familjen e pensionistëve Andoni. Të tre fëmijët e tyre janë emigrantë dhe punojnë prej 15 vjetësh jashtë vendit. Rama u njoh nga afër me gjendjen e vështirë dhe jetesën e tyre të përditshme e cila mezi arrin fundin e muajit. Tema kryesore e bisedës mes tyre ishte emigrimi, mungesa e punës, pensionet e ulëta, të cilat nuk e përballojnë rritjen e çmimeve, e ardhmja. Rama theksoi se "vazhdojnë të ikin njerëzit, për shkak se s‘ka punë dhe po mos të ishin emigrantët, për të sjellë këtu në një vit, aq sa janë investimet e huaja në Shqipëri, nuk do të mbaheshin dot në këmbë familjet shqiptare". Sipas tij, ne duhet dhe do të bëjmë shumë më tepër, për t‘ua lehtësuar emigrantëve jetën. "Duhet të përballojmë të gjithë bashkë, një krizë që prek në radhë të parë familjet që mbahen nga të ardhurat e emigrantëve, që për shkak të vështirësive që hasin atje, detyrohen të shtrëngohen dhe të sjellin më pak, kur edhe vetë rrezikojnë të humbasin mundësinë për vende pune. Ndërkohë që këtu punësimi është një çështje themelore dhe papunësia është një problem i rëndë social", tha Rama. Ai shtoi se ka munguar një politikë që të nxjerrë më të mirën nga njerëzit, dhe t‘u japë arsye atyre për të jetuar e punuar këtu".