E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Procedura burokratike me kalimin e fondeve"

Ministri i Financave nuk i ka kursyer rezervat ndaj procedurave që ndjekin institucionet donatore në Shqipëri për projektet e huaja. Pasi bëri një ekspoze të situatës ekonomike në vend, ministri Bode nënvizoi rëndësisë që ka bashkëpunimi dhe koordinimi i projekteve me donatorët, fondet e të cilëve shpeshherë jepen falas. Por pas një të mire vjen një e keqe. Fondet falas të të huajve zgjasin me muaj dhe kalojnë në disa procedura burokratike, saqë në shumë raste nuk kanë dhënë efektin e duhur në projekt. I gjendur në konferencën ndërkombëtare të donatorëve, ministri i Financave u shpreh se "një sërë problemesh ekzistojnë në këtë bashkëpunim, që lidhen me ngadalësimin e disbursimit të fondeve, burokracitë e shtuara dhe sidomos nga mosintegrimi si duhet i programeve të tyre në PBA dhe në mbështetje të SKZHI". Bode shpreson se debatet që po zhvillohen në rang ekspertësh dhe krerësh institucionesh financiare do të kontribuojnë në kapërcimin ose zbutjen e kësaj problematike. Investimet e huaja kanë historik negativ për shkak se aplikohen nga të huajt procedura të ndryshme nga ligji shqiptar, duke mos rakorduar me buxhetin e shtetit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›