E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, sot takime me Ramën e Berishën



ADI SHKEMBI

Tre ditë pas tryezës me Kryeministrin Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama, Presidenti Topi ndërmerr hapin e dytë. Kreu i shtetit do të thërrasë sot dy liderët e partive kryesore në një takim tjetër, por këtë herë, ndryshe nga i pari, ai do të jetë veç e veç. Zyra e shtypit të Presidencës bëri të ditur dje se gjatë ditës së sotme, duke nisur nga ora 10.00, Topi do të zhvillojë fillimisht takime me ambasadorët e Komisionit Evropian, Helmuth Lohan dhe ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio dhe më pas me Kryeministrin dhe kreun e PS-së. “Duke filluar nga ora 10.00, në vijimësi të tryezës politike të së shtunës dhe të kërkimit e gjetjes së pikëtakimeve mes pozitës dhe opozitës, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi do të takohet me Ambasadoret Lohan dhe Montobio si dhe do të zhvillojë takime të veçanta me Kryeministrin Berisha dhe Kryetarin e opozitës Rama”, thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të Presidencës. Ndërkohë burimet bëjnë të ditur për gazetën se dy orë më vonë, në 12.00 Topi do të presë në zyrën e tij kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe 60 minuta më vonë do të takohet me Kryeministrin Berisha. Takimi i sotëm vjen pas akordit në tryezën e ditës së shtunë, ku kreu i shtetit u ngarkua të gjente pikat e përbashkëta të pretendimeve të dy palëve. Në takimin e 13 shkurtit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama nuk hoqi dorë nga qëndrimi i tij për të bërë një hetim të plotë të procesit zgjedhor, përfshi këtu edhe hapjen e kutive të votimit. “Kërkesa ime kryesore është që të hapen kutitë. Në bazë të Kushtetutës, kërkojmë transparencën e zgjedhjeve, nuk kërkojmë pushtet në tavolinë. Kërkesa jonë për hapje kutish nuk shkel asnjë vendim gjykate dhe nuk e shkel Kushtetutën. Faktin që s’duam pushtet në tavolinë e shprehim edhe në memorandumin që ju kemi dërguar edhe juve, ku garantohet kjo gjë dhe kërkojmë vetëm transparencën e zgjedhjeve. Ne nuk duam të kemi zgjedhje si ato të 2009", u shpreh Rama gjatë tryezës së të shtunës. Nga ana e tij Kryeministri Berisha garantoi se do të plotësojë çdo kërkesë të opozitës për hetimin e zgjedhjeve, përfshi këtu edhe ngritjen e një komisioni hetimor ku shumicën do ta ketë pikërisht PS-ja, por shtoi se vendimi i gjykatave nuk janë një çështje mes PD-së dhe PS-së, por mes selisë rozë dhe pushtetit gjyqësor. “Unë jam i gatshëm për çdo zgjidhje për çdo lloj kompromisi çfarë kërkon opozita që ta zgjidhim, përjashtuar shkeljen e vendimit të Gjykatave dhe Kushtetutës”, është shprehur kreu i Qeverisë gjatë takimit të së shtunës. Ndërkohë, në tryezën e parë palët nuk ranë dakord edhe për sa i takon nivelit në të cilin do të vazhdojnë negociatat. Kreu i Qeverisë kërkoi që bisedimet të vazhdojnë në nivel politiko- teknik, por sipas Ramës kjo është një çështje që zgjidhet me vullnet politik dhe në këto kushte ai kërkoi tryezë vetëm në nivel kryetarësh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›