E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama i fal mëkatet Priftit, në këmbim të videos 2

SHKRUAN: Fejzi Braushi 08-02-2011 10:52

Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, me publikimin e video-skandalit me protagonist Ilir Metën, ka bërë që kreu i opozitës, Edi Rama ta “falë” për akuzat publike për përdorim droge, duke e pranuar zyrtarisht si pjesë e tryezës së Opozitës së Bashkuar Shqiptare. Zyrtarizimi është bërë gjatë takimit të djeshëm të krerëve të opozitës, ku ka marrë pjesë edhe Prifti, i cili duket se ka vendosur të integrohet plotësisht në Partinë Socialiste, duke u bërë shumë shpejt edhe anëtar i grupit parlamentar të kësaj force. Pjesëmarrja e tij në tryezën e opozitës, duket se ka ardhur me një kërkesë të drejtuesve të saj, të cilët e kanë ftuar Priftin që të marrë pjesë në takimin e djeshëm. Por edhe falë premtimit të tij, se disponon dokumente e video të tjera për afera të kabinetit qeveritar. Këtë ai e ka bërë të ditur edhe gjatë takimit të djeshëm, ku mësohet se ka deklaruar se ka në dispozicion materiale dhe një video të dytë, që komprometon pjesëtarët e mazhorancës së sotme në afera korruptive dhe të cilat do t’i bënte publike në ditët në vijim. Për këtë qëllim, ai ka kërkuar mbështetjen e gjithë opozitës, për t’i shkuar deri në fund betejës me mazhorancën, pasi siç mësohet nga burime pranë takimit të Opozitës së Bashkuar, Prifti ka thënë se i vetëm, nuk mund të vazhdonte më tutje. Përfshirjen në grupin parlamentar të Partisë Socialiste e ka bërë të ditur ish- ministri LSI-së,Prifti pas këtij takimi, ku ka deklaruar se kishte pranuar me vullnet të plotë të bëhej pjesë e opozitës. “Sot unë kisha një ftesë nga tryeza e Opozitës së Bashkuar. Ju përgjigja sigurisht me dëshirën më të madhe për të qenë pjesë e vazhdueshme i këtij bashkimi opozitar. Unë e kam deklaruar edhe më parë, që jam një deputet në opozitë me vullnet të plotë për të qenë në opozitë. “Mund ta konfirmoj që tashmë jam pjesë e tavolinës së opozitës, një faktor opozitar dhe do të kontribuoj maksimalisht me të gjithë mundësitë e mia, për të sjellë një realitet të ri në Shqipëri”, - tha Prifti për mediat pas takimit. Ndërkohë që ai ka deklaruar se shumë shpejt do t’i bëjë një kërkesë zyrtare edhe grupit parlamentar socialist, për të qenë pjesë e tij. Nga ana tjetër, Prifti ka bërë të ditur për mediat se do të vijojë të bëjë luftën e tij opozitare me mjete të tjera, për të denoncuar keqeverisjen dhe për të kërkuar atë që ai e ka konsideruar një realitet të ri në vend. Një deklaratë kjo që duket se ka të bëj pikërisht me mundësinë e bërjes publike të dokumenteve dhe videove të tjera nga ana e tij për qeverinë aktuale. Gjithashtu, ai ka informuar tryezën edhe për bashkëpunimin e tij me organin e akuzës, përsa i përket çështjes së videos me ish-zv/kryeministrin Meta,koncesioneve dhe kontrabnadës së naftës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›