Bllokohen kompjutera piratë me destinacion Shqipërinë
Autoritetet doganore italiane, në Taranto, kanë bllokuar 37 mijë kompjutera të destinuara për Shqipërinë, pasi ishin prodhim kinez i falsifikuar. Ndërkohë që, mes qeverisë shqiptare dhe asaj kineze ka një marrëveshje të përbashkët për dërgesa të mëdha kompjuterësh, në kuadër të projektit "Cilësi dhe Barazi në Arsim". Vetë ministri i Arsimit, Fatos Beja, ka deklaruar se ka mbërritur dërgesa e parë e kompjuterave kinezë, të cilët do të fillojnë të shpërndahen shumë shpejt, në shkollat shqiptare. Ndërsa ka shtuar se priten edhe sasitë e tjera të kompjuterave, sipas projektit. Ndërkohë që Ministria e Arsimit ka hedhur poshtë çdo lidhje me sasinë e kompjuterave kinezë të bllokuar në pikën doganore italiane në Taranto. Sipas Ministrisë së Arsimit, për pajisjen e shkollave me laboratorë kompjuterikë, "informojmë publikun se në datat 21-27 janar 2009 nga pika kufitare e Hanit të Hotit kanë kaluar, janë zhdoganuar dhe janë magazinuar në Tiranë 7.146 kompjuterë të porositur nga MASH, të cilët do të shpërndahen së shpejti në shkollat e Shqipërisë".