E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lagështira mbyll shkollën "Sevasti Qirjazi"

Nxënësit e shkollës 9-vjeçare, "Sevasti Qirjazi", në Korçë, edhe pas rikonstruksionit të godinës nuk mund të kryejnë mësim në ambientet e reja. Një urdhër nga Inspektorati i Higjienës ka pezulluar zhvillimin e procesit mësimor, për shkak të lagështirës tej normave të lejuara. Nxënësit janë zhvendosur në dy shkolla të tjera për të kryer mësimin gjatë orëve të pasdites, ndërkohë që ambientet e reja nuk mund të jenë gati deri në verë, sa të kryhet tharja e mureve.

Nga një kontroll që ka ushtruar Drejtoria e Shëndetit Publik, ka rezultuar se niveli i lagështirës është tepër i lartë deri në 90%, ndërkohë që edhe temperatura e mjediseve të brendshme është tepër e ulët, gjë që rrezikon për prekjen e fëmijëve nga sëmundjet. Burime të inspektoratit janë shprehur se pasi në shkollën e re kishte nisur procesi mësimor, është kërkuar me një shkresë zyrtare drejtuar drejtorisë së arsimit që nxënësit të largohen nga këto ambiente sa më parë. Sipas zëdhënëses së drejtorisë së kujdesit shëndetësor parësor, nga studimi i mikroklimës në ambientet e shkollës ka rezultuar se lagështira është 30 gradë mbi normën e lejuar, ndërkohë që temperatura e matur ka qenë nën 17 gradë. Kjo situatë e ka bërë të pamundur zhvillimin normal të procesit ditor të mësimit, pasi ndikon seriozisht në sëmundjen e fëmijëve të moshave nga 6-14 vjeç nga ftohjet, problemet në rrugët e frymëmarrjes dhe në mushkëri, por edhe nga ftohjet muskulore.

Rezultatet kanë ardhur pas një konkluzioni të testimeve në laboratorin e qendrës sanitare. Për të evituar riskun është marrë edhe vendimi për largimin e fëmijëve, të cilët do të zhvendosen në dy shkolla të tjera, përgjatë gjithë periudhës së dimrit, deri në tharjen e plotë të mjediseve nga lagështira që kanë marrë muret gjatë punimeve të ndërtimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›