E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekologjistët: Përse jemi kundër TEC-it me qymyr

"Teknologjia e TEC-it me qymyr, që do të përdoret në Porto Romano dhe masat që propozohen për uljen e ndotjes nuk sigurojnë pastërtinë e mjedisit, shëndetin e popullsisë së rajonit dhe rritjen ekonomike të tij. Pra, në tërësi nuk garanton zhvillim të qëndrueshëm të vendit". Ka qenë ky konkluzioni në të cilin kanë arritur anëtarët e grupimit të shoqatave mjedisore shqiptare "Ekolëvizja", së bashku me ekspertë të pavarur mjedisorë. Pasi kanë studiuar përmbledhjen e projektit teknik dhe vlerësimin e ndikimit në mjedis, të përgatitur me porosi të kompanisë ENEL, ekologjistët shqiptarë rreshtojnë një seri problematikash që rrezikojnë ambientin dhe popullsinë e kësaj zone, ku do të ngrihet TEC-i. Sipas tyre, në këtë studim nuk përmendet fare ndotja radioaktive, që do të sjellë ndërtimi i TEC-it me qymyr. Janë injoruar emetime në ajër të grimcave shumë të vogla (nanogrimcat), të cilat futen në brendësi të trupit të njeriut përmes frymëmarrjes. Modelimi i përdorur për normat e shkarkimit në ajër nuk ka marrë parasysh elemente të tjera, si fabrikat e çimentos.

Ata theksojnë se termocentrali paraqitet si projekt i veçuar, së bashku me pontilin detar, duke mos paraqitur ndikimet e disa aktiviteteve dhe fabrikave përbërëse të saj, të cilat në vetvete kërkojnë studim mjedisor. Ekologjistët kanë kërkuar një vlerësim më të thellë dhe më serioz në ekosistemin detar, ku do të derdhen 190.000 t/orë ujë i ngrohtë dhe 1.140 t/orë ujë i shkripëzuar, veçanërisht për ndikimin mbi barin e detit Posidonia, si habitat prioritar dhe në rrezik zhdukjeje në direktivat e habitateve të Bashkimit Evropian.

Në letrën e hapur dërguar Bashkisë së Durrësit, ministrit të Mjedisit, si dhe atij të Energjetikës, ekologjistët shprehen se në studimin e kryer nga kompania italiane për mbrojtjen e mjedisit është anashkaluar ndikimi negativ në industrinë ekzistuese të turizmit dhe ndikimi në potencialet. "Ky investim do të sjellë uljen e vlerës së pronës për qytetin e Durrësit, zonës turistike të plazhit dhe zonës turistike të Lalëzit, të cilat janë jo më shumë se 6 km larg", vënë në dukje ambientalistët. Ata shtojnë se janë nënvlerësuar emetimet e CO2 në atmosferë dhe aludohet që do të zbatohen teknikat e kapjes së tij, kur teknologjia të jetë gati, ndërkohë që në Evropë kjo është ende në faza eksperimentale. Ata kanë vërejtur e anashkalimin për koston mjedisore të projektit, duke mos marrë parasysh as koston e CO2, as kreditet e karbonit që Shqipëria do të humbasë duke pranuar këtë industri ndotëse. "Prandaj, i kërkojmë qeverisë shqiptare, shprehen ekologjistët, që para se të aprovojë VNM-në të qartësojë se si do ta blejë këtë kosto mjedisore". Shqetësimi i ambientalistëve vijon me mungesën e trajtimit të masave që do të merren për të shmangur ndikimin në pasuritë dhe monumentet kulturore nënujore të këtij bregdeti mjaft të pasur me gjetje arkeologjike, por sidomos për efektin e shirave acidë, jo vetëm në zonën e gjelbër përreth, por edhe ndikimin në zonat e trashëgimisë kulturore të Durrësit dhe Krujës. Këtyre kundërshtive i shtohet edhe fakti, sipas ekspertëve të ambientit, që është neglizhuar ndikimi i parkut energjetik në zonën e mbrojtur të Rrushkullit. Ndikimi i trafikut detar dhe tokësor është trajtuar në mënyrë sipërfaqësore, duke mos dhënë një panoramë të qartë të ndikimit në habitatet ujore, tokësore, ajër, shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë. "Strategjia e zhvillimit, e zgjedhur nga qeveria shqiptare në këtë investim, është shumë larg zhvillimit të qëndrueshëm dhe nuk merr për bazë potenciale e tjera alternative që ofron Shqipëria", pohojnë ekspertët e mjedisit që kanë kërkuar nga Bashkia e Durrësit të qartësojë përfitimet sociale dhe ekonomike të popullsisë së rajonit që do të vijnë nga ndërtimi i TEC-it. Për ta, procesi i konsultimeve me publikun në katundin e ri ka filluar përpara se të miratohej masterplani i parkut energjetik, duke përbërë kështu shkelje të procedurave ligjore.

Përfaqësuesit e këtij grupimi të shoqatave mjedisore kanë bërë apel që: Të ndërmerret procesi i vlerësimit strategjik mjedisor për të gjithë zonën e parkut industrial në Porto Romano; të kërkohet VNM alternative nga ekspertë të pavarur; të organizohet një referendum në rrethin e Durrësit, i cili ndikohet ndjeshëm nga projekti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›