E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovrasti: PS e kishte parapërgatitur Ruzhdien

Ish-përfaqësuesi i PD-së në KQZ zbardh detajet

Partia Socialiste e kishte parapërgatitur skenarin e Ruzhdies dhe për fat të keq, ia arriti qëllimit. Ky ishte konstatimi që shprehu dje ish-përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Niazi Kosovrasti. Sipas tij, bazuar në statistikat e KQZ-së, Komuna e Ruzhdies në Qarkun e Fierit, gjatë pesë viteve të fundit, mund të konsiderohet si një bastion i së djathtës. Nisur nga kjo e dhënë, këshilltari i Kryeministrit Berisha, Kosovrasti, thekson se skenari për të krijuar parregullsi ishte i studiuar mirë më parë nga Partia Socialiste. “Duke e ditur Partia Socialiste se cili do të ishte rezultati në këtë qendër votimi, u mundua ta bëjë pis procesin zgjedhor në këtë qendër votimi, për fat të keq ajo ia arriti qëllimit”, thekson ish-përfaqësuesi i PD në KQZ. Kosovrasti shpjegon se me hapjen e qendrës së votimit në këtë zonë, më 28 qershor të vitit të kaluar, votimi filloi normalisht dhe pa asnjë incident apo problem. Më pas, sipas këshilltarit të Kryeministrit, pas orëve të paradites, komisionerët socialistë të pranishëm në këtë qendër sajuan një zënkë. “Ata gjetën një alibi për t’u larguar nga komisioni i qendrës së votimit, duke u paraqitur në komisionin zonal dhe dorëzuan vulën e qendrës së votimit”, shpjegon Kosovrasti. Po kështu ai thekson se PS nuk e bëri qëllimisht zëvendësimin e komisionerëve për ta quajtur procesin të pavlefshëm. Nga ana tjetër, Kosovrasti thekson se komisionerët e djathtë, të cilët mbeten të vetëm në qendrën e votimit, nuk kishin asnjë të drejtë ligjore të pengonin qytetarët të vijonin normalisht procesin e votimit. Nga ana tjetër, për situatën e krijuar në këtë zonë, Kosovrasti thekson se arbitraritet ka kryer edhe komisioni zonal, i cili pas procesit të votimit, vendosi të njohë si të rregullta vetëm 85 fletë votimi dhe të tjerat t’i konsiderojë si të pavlefshme. Nisur nga situata në këtë zonë rreth gjashtë muaj më parë, Kosovrasti e cilëson si abuzim të ulët qëndrimin aktual të opozitës. “E konsideroj abuzim të ulët qëndrimin e opozitës, e cila kërkon të shfrytëzojnë rastin e Ruzhdies, për të bërë pis procesin zgjedhor të qershorit”, thekson këshilltari i Kryeministrit. Sipas tij, nga shpallja si të pavlefshme e votave në këtë qendër votimi, Partia Demokratike humbi një deputet në Qarkun e Fierit. Por sipas Kosovrastit, kjo parti e pranoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili nuk vendosi që në këtë zonë të zhvillonte rinumërim dhe e mbylli këtë çështje pa e përmendur më.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›