Bllokohen në Durrës dy trajlera dhe një kontenier me mallra kontrabandë
Forcat e sigurisë portuale në bashkëpunim me shërbimet e antikontrabandës doganore në portin e Durrësit, kanë bllokuar të djelën në mbrëmje dy trajlera dhe një konteiner, të cilët transportonin nga Italia mallra të padeklaruara. Drejtori i doganës, Arben Ibro bëri të ditur se, mallrat e padeklaruara brenda mjeteve të mëdha të transportit janë konstatuar falë pajisjes skaner, që është instaluar 16 muaj më parë në dalje të portit më të madh të vendit. Sipas të njejtit burim ,në cilësinë e provës materiale janë bllokuar 820 celularë, 30 aparate celular I-fon, 200 kg tel saldimi, 3 mije palë këpucë sportive dhe mallra të tjera të pa zhdoganuara, të cilat ndodheshin në automjete, së bashku me pjesën tjetër të mallrave të deklaruara. Vlera e mallrave dhe penaliteteve doganore arrin në 6.6 milion lek gjithsej,-tha drejtori Ibro. Trajlerat mbërritën dje me traget nga porti i Barit (Itali) dhe për mallrat e sekuestruara, të cilat do të shkarkoheshin në Elbasan dhe Tiranë ,nuk ishte kryer asnjë proçedurë doganore. Burimet saktësuan se prokuroria e Durrësit ka lëshuar urdhërat e ndalimit për dy drejtuesit e automjeteve me mallra kontrabandë.
...