Miliband: Zgjerimi i BE-së një shtysë e rëndësishme për forcimin e demokracisë

Zgjerimi i Bashkimit Evropian është shtysë e rëndësishme për nxitjen e demokracisë në vendet ish-diktatoriale, deklaroi sot sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband, duke theksuar se BE-së i nevojitet një avancim i mëtejshëm në këtë proces evropian. Vendet e Ballkanit Perendimor, Turqia, si dhe Ukrania, aspirojnë që edhe ato të gjenden mes vendeve anëtare të BE-së dhe të gjitha ato duhet të pranohen në Union, u shpreh shefi i diplomacisë britanike përmes një shkrimi të botuar në të përditshmen "The Times". Sipas Miliband, Bashkimi Evropian duhet të vendosë prioritete në marrëdhëniet me fuqitë e mëdha, siç janë SHBA-ja, Rusia dhe Kina. Në këtë kuadër, BE-ja duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha dhe të tregojë se mund të jetë partnere serioze strategjike, "që e meriton të vetëquhet tregu më i madh në botë dhe që përfaqëson lidhje më të fuqishme rajonale". Në këtë kontekst, thekson Miliband, Britania e Madhe është ende një nga aktorët më të rëndësishëm, pasi është një nga vendet lider në akordimin e ndihmave dhe përballjen me sfidat globale.
...