Prezantohet pasditen e sotme plani urbanistik i Tiranës

Këshilli Bashkiak i Tiranës mblidhet pasditen e sotme , ku një ndër pikat më të rëndësishme të rendit të ditës dhe nga më të diskutuarat do të jetë Plani Urbanistik i Qytetit. Sipas burimeve të Bashkisë, “Planin Urbanistik të qytetit do ta prezantojë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, administratori i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli së bashku me punonjës të Drejtorisë së Urbanistikës”. Sipas të njëjtave burime bëhet e ditur, që prezent në këtë seancë të prezantimit të Planit Regullues do të jetë edhe Nënkryetarja e Bashkisë Albana Dhimitri, e cila do të jetë në dispozicon të këshilltarëve të bashkisë për t’iu përgjgjur të gjtha pyetjeve apo shqetësimeve që kanë këta të fundit për planin. Plani Rregullues i Tiranës është përgatitur nga firma zvicerane “URBA PLAN” e kontraktuar nga Banka Botërore dhe me financim të qeverisë holandeze. Ndërkohë që në mbledhjen e muajit shtator të Këshillit Bashkiak, prezantimi i planit u pezullua për shkak se këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së, e quajtën joserioze mënyrën që kishte përzgjedhur administrata e bashkisë për prezantimin e planit. Kjo e fundit kishte bërë një regjistrim të përfaqësuesit të firmës “Urbaplan” Fred Vegër , i cili do të prezantonte me monitore hartimin e planit. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, e ka cilësuar jo serioz këtë lloj prezantimi, duke u shprehur se “njohja dhe shqyrtimi i planit rregullues të Tiranës është një nga çështjet më të rëndësishme për qytetin, ndaj ai duhet të prezantohet nga drejtuesi i tij, z. Vegër, personalisht, i shoqëruar dhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama”. Ndërkohë që kreu i këshilltarëve demokratë Ferdinand Poni, ka dorëzuar në emër të këshilltarëve demokratë një kërkesë pranë sekretarisë së Këshillit, që në mbledhjen e radhës kur të prezantohej Plani Rregullues duhet të ishte prezent Kryetari i Bashkisë Edi Rama, pasi sipas tij,” shfaqje të tilla qesharake ka nëntë vite që na servir bashkia e Tiranës, dhe në prezantimin e tij duhet të jetë Kryetari i Bashkisë Edi Rama për t’i dhënë edhe seriozitetin e duhur këtë projekti madhor”. Disa nga përparësitë në Planin Rregullues, janë ndërtimi i ambienteve të reja arsimore, ku është parashikuar që minimalisht duhet të ndërtohen 17 shkolla të reja, si dhe të ngrihet një kampus universitar, gjithashtu edhe shëndetësia është një tjetër pikë kyçe, ndaj parashikohet të ndërtohen 15 qendra shëndetësore të reja. Në Planin e ri urbanistik, në të gjitha projektet që duhet të ndërtohen, duhet të kenë në vëmendje të tyre gjelbërimin, ndaj është parashikuar që për 10-vjeçarin që do të vijë, të krijohen 175 hektarë gjelbërim, që mund të arrihet duke mbjellë sistematikisht pemë në çdo aks të Tiranës. Një tjetër çështje kryesore e planit është rrjeti rrugor, ku nuk bëhet fjalë vetëm për ndërtimin e rrugëve, por edhe të hekurudhave e tramvajeve, si p.sh, linja e tramvajit nga “Nënë Tereza” në Paskuqan dhe nga Universiteti Bujqësor deri në Tufinë.
...