E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gripi i derrit, prek edhe shkollat

 

zirina llambro

Virusi i gripit të derrit “godet” në shkolla. Vetëm dy ditë më parë janë konfirmuar dhe 10 raste me AH1N1, duke e çuar numrin e të prekurve ne 54 vetë. Nga sa bëjnë me dije drejtuesit e Institutit të Shëndetit Publik janë izoluar të prekur nga gripi pandemik në dy shkolla në Tiranë, si dhe në një shkollë në Mat. Në kryeqytet bëhet fjalë për një kolegj privat dhe shkollën 9-vjeçare “Edit’h Durham”, ndërsa në rrethin e Matit rastet janë identifikuar  në shkollën 9-vjeçare “Tahir Hoxha”. Sipas specialistëve të ISHP, aktualisht nuk ka vend për panik, por nuk përjashtohet mundësia në marrjen e masave më tej deri në mbylljen e klasave të prekura nga AH1N1. “Janë izoluar 10 raste të reja në Shqipëri. Kemi fakte që virusi po qarkullon në formë grumbullimesh edhe në disa shkolla të vendit, në Tiranë dhe në Mat”, tha gjatë një konference për shtyp drejtori i ISHP-së, Alban Ylli. Sipas tij situata epidemiologjike në vend shënon dhe një rritje të personave te prekur nga gripi i zakonshëm. “Jemi ende larg epidemisë, por të gjithë qytetaret duhet të vaksinohen me vaksinën antigrip, e cila është në treg”, tha Ylli.
Situata
Sipas drejtorit të ISHP vaksina mbetet mjeti më i mirë, më kost-efektiv dhe më efikas për të parandaluar gripin sezonal. Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon përdorimin e saj për një sërë grupesh që konsiderohen në risk. Aty bëjnë pjesë  fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, të moshuarit apo dhe personat mbi 55 vjeç, si dhe një grup personash që kujdesen për personat me risk të lartë siç mund të jenë mjekët ose prindërit e fëmijëve të vegjël”. Ndërkaq, drejtori i ISHP bëri me dije se brenda muajit nëntor pritet të vijë vaksina kundër virusit AH1N1 në vendin tonë. Gjatë konferencës së djeshme u bënë publike edhe të dhënat e buletinit të fundit epidemiologjik mbi qarkullimin e gripit të derrit aktualisht. “Kemi një numër më të lartë të infeksioneve respiratorë krahasuar me një vit më parë. Këtë javë vërejmë një trend rritjes, por duhet theksuar se jemi në fazën e aktivitetit sezonal të pritshëm”, thuhet në buletin. Sipas tij, numri më i madh i infeksioneve respiratore vërehet tek fëmijët. Numri i mostrave të analizuara si të dyshuara për gripin e derrave deri në datën 10 nëntor ka arritur në 1037. Grupmoshat e analizuara janë 24-44 vjeç, ku dhe janë konfirmuar më shumë raste. “Shenjat klinike të personave që janë konfirmuar në dy javët e fundit si të infektuar me AH1N1, kanë qenë mesatare dhe nuk kanë shfaqur komplikacione”, thuhet në buletin. Nga sa kanë evidentuar specialistët, ka grumbullim dhe shtim të rasteve me shenja të gripit nga shkollat. “Veç rritjes së vigjilencës brenda sistemit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë është në kontakt të vazhdueshëm edhe me ministritë e tjera me qëllim uljen e qarkullimit të virusit në mjediset e shkollave, vendet e punës, mjetet e transportit publik”, saktësohet në buletin.

DSHP Mat: Dërguam 10 mostra në Tiranë
BURREL-Drejtori i Shëndetit Publik Mat, mjeku Zylfi Dika tha se ai ka dërguar 10 mostra të marra nga nxënësit e dy shkollave të qytetit të Klosit në Tiranë për kryerjen e analizave laboratorike. “Sapo jemi njoftuar për situatën gripale në dy shkollat e qytetit të Klosit kemi dërguar atje specialistët e drejtorisë së higjenës dhe epidemiologjisë. Kemi marrë 10 mostra dhe i dërguam me urgjencë në laborator. Vepruam me shpejtësi dhe ndër të parët që jemi interesuar në kohë rekord”- tha Dika. Ai nënvizoi se ende nuk kanë dalë ende rezultatet e analizave dhe deklarimet e bëra janë të nxituara dhe të pavërteta. “Unë nuk mund të them se nuk ka raste me grip derri në shkollat e Klosit, por ne duhet të presim shpalljen e rezultateve të analizave laboratorike. Në gjykimin tonë kemi të bëjmë me një situatë gripale të zakonoshme dhe nuk ka vend për panik”-theksoi drejtori i shëndetit publik Mat, Zylfi Dika. Të paktën 130 nxënës të shkollave të qytetit të Klosit janë përfshirë nga virusi i gripit. Në shkollën 9 vjeçare “Tahir Hoxha” dhe atë të mesme “Shaban Çollaku” prej disa ditësh nxënësit nuk kanë mundur të vijojnë normalisht mësimin për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. Megjithë përpjekjet e stafit të qendrës shëndetësore Klos dhe kujdesin e drejtorive të shkollave një numër i madh nxënësish nuk mund të vijojnë normalisht mësimin.

Grupet e riskut

- Fëmijët nga mosha 6 muajsh deri në 18 vjeç
- Gratë shtatzëna
- Personat mbi 55 vjeç
- Të sëmurët kronikë
- Personeli shëndetësor

Simptomat

Temperatura:
Kalon të 38 gradët

Frymëmarrja:
Të kollitur
Teshtima
Ftohje
Vështirësi në frymëmarrje
Sytë:
Skuqje e syve

Kockat dhe muskujt:
Dhimbje kockash
muskujsh
ndjesi dobësie
Barku:
Mungesë oreksi
të vjella
dhe diarre

Bino: Momentalisht mbyllja e  shkollave jo e domosdoshme”

“Mbyllja e shkollave aktualisht nuk do të sjellë ndonjë ndryshim të situatës gripale në vend. Kjo masë që nisi të zbatohej edhe në vende të tjera, nuk e pengon përhapjen e virusit. Ajo që duhet bërë është dezinfektimi, monitorimi në vazhdimësi i numrit të të prekurve dhe trajtimi i tyre në kohë”, sqaron shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik Silva Bino. Sipas saj, aktualisht vendi ndodhet fazën e aktivitetit sezonal të gripit të zakonshëm, i cili gjatë kësaj periudhe qarkullon çdo vit. “Ajo çka po bëjmë aktualisht është monitorimi i mungesave të nxënësve në shkolla. Vihet re një shtim i tyre faktikisht dhe jemi në kontakt me mësuesit, në mënyrë që të raportohet në kohë dhe të merren masa kur është e nevojshme”, nënvizon Bino. Sipas saj, larja e shpeshtë e duarve, ruajtja e një higjiene personale në nivele të larta janë disa nga masat që duhet të marrë secili nxënës. Gjithashtu, duhet që mësuesit të jenë të vëmendshëm nëse një student apo nxënës ka ndryshime të pamjes së jashtme, duke bërë të mundur që sëmundja të kapet që në orët e para, gjë që është shumë e rëndësishme si për vetë nxënësin (ecurinë e sëmundjes, fillimin e trajtimit) ashtu dhe për të tjerët që e rrethojnë. Në këtë mënyrë krijohet mundësia për një vizitë sa më të hershme tek mjeku, por edhe bën të mundur ta frenojë një njëfarë mase transmetimin tek shokët e tjerë të klasës.

Shkollat në Maqedoni
Qeveria e Maqedonisë po shqyrton mundësinë e mbylljes së shkollave, pas përhapjes me ritme të shpejta të virusit të gripit të derrit, A/H1N1. Gjithçka e bëjnë me dije mediat lokale. Sipas tyre, kjo zgjidhje po merret në konsideratë, pasi analizat e fundit laboratorike kanë treguar praninë e virusit te 30 persona të tjerë, 5 prej të cilëve nxënës. Gjithsesi, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se aktualisht nuk ka nevojë për mbajtjen e maskave anti-grip në ambientet publike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›