E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, denoncuesi i gjyqtarit të Elbasanit, rezulton emër i rremë

 

TIRANE – Emri i personit që ka denoncuar në prokurori për akuzën e korrupsionit gjyqtarin e Gjykatës së Elbasanit, Qani Hasa, rezulton i rremë. Prej më shumë se dy javësh, Prokuroria e Tiranës ka kërkuar të marrë në pyetje shtetasin Ibrahim Hoxha, autor i kallëzimit, por një person i tillë nuk gjendet. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se për nevoja të hetimit të çështjes është kërkuar paraqitja e kallëzuesit në Prokurori. Për disa ditë me radhë thirrja e Prokurorisë nuk ka marrë asnjë përgjigje, ndërsa organi i akuzës ka vendosur të bëjë verifikime, pasi personi nuk është paraqitur. Duke qenë se autori i denoncimit kishte paraqitur të dhëna sikur ishte qytetar nga Elbasani, verifikimet kryesore janë kryer në këtë qytet. Pas më shumë se dy javësh hetuesit kanë konfirmuar se personi që ka bërë denoncimin ka përdorur një emër të rremë në momentin kur dorëzoi padinë në regjistrin penal të organit të akuzës. Një fakt i tillë duket se ka vënë në pozitë të vështirë hetimin, pasi i vetmi dëshmitar i momentit të dhënies së 3 milionë lekëve ryshfet konsiderohej autori i kallëzimit. Një tjetër dëshmitar është gjyqtari në hetim, të cilit mbi bazën e këtij kallëzimi i është hequr imuniteti nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Prokuroria ka kërkuar paraqitjen e gjyqtarit për t’u marrë në pyetje për llogari të hetimeve që po zhvillohen për akuzën “korrupsion i gjyqtarëve”. Hetuesit presin të mësojnë tashmë detajet e ngjarjes nga vetë gjyqtari i akuzuar, pasi kallëzuesi rezultoi me emër fiktiv. Në kallëzim pretendohej se gjyqtari kishte marrë 3 milionë lekë për përgjysmimin e dënimit të shtetasit Geront Ocka, i arrestuar me një sasi lënde narkotike. Prokuroria kishte kërkuar në gjykatë 10 vjet e gjashtë muaj burg, ndërsa dënimi i dhënë ndaj këtij personi ishte 5 vjet. Kallëzuesi pretendonte në padinë e tij se ulja e dënimit për të arrestuarin është bërë kundrejt një shume ryshfeti prej 300 mijë lekë të reja të marra nga gjyqtari. Falsiteti i emrit të denoncuesit duket se do të kërkojë një debat gjyqësor në rast se dosja shkon në gjykatë dhe denoncuesi kërkohet para togave të zeza. Burimet e Prokurorisë sqaruan se, pavarësisht emrit fals të denoncuesit, faktet e paraqitura në kallëzim qëndrojnë dhe po hetohen sipas ligjit nga organi i akuzës. tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›