E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohen në Itali 150 studentë shqiptarë

Të rinjtë, pjesë e universiteteve private të Tiranës do kryenin një udhëtim turistik në Mesdhe. Hungaria iu anuloi vizat

Porti i Triestes nuk lejon studentët që të zbresin nga trageti, 150 vetë kalojnë dy net në kabina

DURRËS- 150 studentë të universiteteve private të kryeqytetit janë bllokuar prej më shumë se 48 orësh në portin e Triestes në Itali për shkak të një problemi në dokumentacionin e tyre.


Të rinjtë kanë rënë pre e mashtrimit të një agjencie turistike në Tiranë, e cila u ka premtuar një guidë nëpër Mesdhe duke u pajisur me një vizë shengen hungareze. Por mashtrimet e agjencisë kanë bërë që ambasada e Hungarisë në Tiranë të anulojë vizat dhe studentët tashmë nuk mund të zbresin as nga anija.

Grupi i studentëve është nisur nga porti i Durrësit ditën e mërkurë dhe ndalesa e tyre e parë ishte Trieste. Më pas guida e tyre vazhdonte me udhëtim në bregdetin e Francës, Spanjës dhe disa vende të tjera. Por policia kufitare italiane nuk i ka lejuar studentët që të zbresin nga anija duke treguar se vizat e tyre ishin anuluar nga ambasada hungareze në Tiranë.


Studentët janë interesuar për arsyen e anulimit të vizës dhe bllokimit të tyre në anije dhe kanë mësuar se shkaku ishin dokumentet jo korrekte që ishin depozituar në ambasadën hungareze. Kjo ka vazhduar tërë ditën dhe në orët e darkës është njoftuar konsullata shqiptare në Milano, e cila ka njoftuar Ministrinë e Jashtme.

Ndërkohë, autoritetet e portit kanë intervistuar pasagjerët dhe, sipas informacionit që ambasada jonë në Romë ka marrë nga Ministria e Jashtme, disa prej tyre kanë deklaruar destinacione të tjera (Spanjë, Francë, Belgjikë) jashtë itinerarit të deklaruar. Ky fakt ka rënduar situatën dhe ka bërë që të merret vendimi përfundimtar i refuzimit të hyrjes në territorin italian.


Një nga konsujt ka shkuar në Trieste dhe është interesuar për problemin. Sipas raportit të konsullit që ndodhet në Trieste dhe Ministrisë së Jashtme rezulton se udhëtimi i studentëve të disa universiteteve private në Tiranë është ndërmjetësuar dhe organizuar nga një agjenci private e udhëtimit.

Vizat janë marrë në ambasadën e Hungarisë në Tiranë, ku agjencia ka paraqitur programin e udhëtimit dhe rezervimet e hoteleve në Slloveni dhe Itali.


Ambasada e Hungarisë, pasi ka dhënë vizat, ka marrë njoftim nga hotelet se janë kontaktuar nga agjencia, por rezervimi ose nuk është bërë efektiv (sepse nuk është kryer pagesa), ose më vonë është anuluar.


Për pasojë, ambasada e Hungarisë ka anuluar vizat dhe ka njoftuar kufirin që të mos lejojë hyrjen në territorin italian.



"Autoritetet e kufirit nuk i kanë lejuar të zbresin, në pritje për t'i kthyer në Shqipëri me të njëjtin traget. Sipas informacionit që kemi marrë nga pala italiane rezulton se trajtimi i grupit ka qenë normal. Studentët janë sistemuar në dhoma, u janë dhënë mbulesa të pastra dhe ushqim i rregullt",- thanë burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme.



Momentalisht, konsulli shqiptar në Milano është duke negociuar me palën italiane për të lehtësuar sa më shumë gjendjen e grupit të studentëve. Sipas tij, anija pritet që të largohet nga Trieste për në Durrës vetëm sot në orën 13.00 të paradites.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›