E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, banorët blejnë kuponët me 1200 lekë

Njësitë vendore nuk zbatojnë vendimin e qeverisë që thotë se kuponët e kartave të identitetit duhet të jepen me 200 lekë

KORÇË- Njësitë vendore në zonën e Korçës vazhdojnë që të mos zbatojnë vendimin që karta e identitetit të jepen me 200 lekë për personat që nuk kanë pasaportë. Çmimi vazhdon të jete ende 1200 lekë, ndërsa qytetarët ankohen për këtë mashtrim që po bëhet në kurriz të tyre.


Rasti më tipik në Korçë është komuna Mollaj ku vazhdohen të priten kuponë 1200 lekë, kur vendimi i qeverisë e ka përcaktuar qartë se çmimi për ata që nuk kanë pasaporta është vetëm 200 lekë.


Më shumë se 20 banorë të fshatit Lubonjë në rrethin e Korçës janë përballur gjatë të premtes me pritje të gjata para postës dhe zyrave të komunës Mollaj ku duhet të kryejnë dhe aplikimin për kartat e identitetit.


Ndërsa banorët e kësaj zone që iu duhet të udhëtojnë rreth 20 kilometra për të shkuar në qendrën e përcaktuar nga shteti për kartat, nuk kanë mundësi t'iu shërbehet. Shkak i kësaj gjendjeje është mungesa e kuponëve 200 lekë, të cilët nuk janë vënë në përdorim për të interesuarit.


Ndonëse kanë qëndruar për më shumë se pesë orë para zyrave të komunës Mollaj, banorët e fshatit Lubonjë në rrethin e Korçës janë kthyer në shtëpitë e tyre pa kryer aplikimin, edhe pse kanë pasur emrin në listën e atyre që nuk janë pajisur më parë me pasaportë. Edmond Bregu thotë se gjithçka bëhet qëllimisht.


Ai mendon se kjo sjellje mund të lidhet edhe me faktin se ai ka bindje të tjera me ato të drejtuesve të kësaj komune të djathtë, ndaj dhe sorollatet për të mos i lejuar pajisjen me kartë identiteti.


Fenomeni që ka përfshirë ditët e fundit komunat që qeverisen nga të majtët në juglindje është gati i njëjtë tek të gjitha. Në të gjitha këto njësi vendore nuk ka nisur ende shpërndarja e kuponëve me 200 lekë.


Ndërkaq kjo situatë e re ka nxitur në pezullimin e këtij procesi pasi dhe vetë të interesuarit nuk aplikojnë me çmimin e kripur për ta dhe mundësitë e tyre ekonomike. Kështu komuna e Lozhanit, Moglicës, Vithkuqi etj., po presin që të shpërndahen kuponë me 200 lekë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›