Gjana-administratës: Punoni për PD-në deri në mëngjes
Ministri i Bujqësisë e thotë troç gjatë një takimi të zhvilluar në Qarkun e Elbasanit
ELBASAN- Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, nuk ka përdorur rrugën diplomatike për t'i kujtuar administratës shtetërore se ajo duhet të vihet në shërbim të Partisë Demokratike për zgjedhjet.
Në konferencën "Arritjet dhe perspektivat e Bujqësisë në qarkun Elbasan", organizuar nga Ministria e Bujqësisë në bashkëpunim më Drejtorinë e Bujqësisë në Elbasan, ai ka urdhëruar haptazi administratën, që, pas orarit zyrtar të punës, të punojnë deri në mëngjes për Partinë Demokratike.
"Punoni 8 orë në administratë dhe më pas të gjithë në punë për zgjedhjet deri në mëngjes", - është shprehur Gjana. Deklarata e djeshme e ministrit të Bujqësisë, është rasti më tipik se si mund të përdoret administrata shtetërore për qëllime politike, e aq më shumë në prag fushate.
"Është mirë që të gjithë të punojmë për zgjedhjet. Këtë e kam për ata të administratës, që janë këtu. Nuk është se të gjithë punojnë për Partinë Demokratike se unë e di që nuk punojnë.
Mirë do të bëjnë të reflektojnë këtë herë, ta mendojnë. Pra, 8 orë punoni në shtet, më pas, nga ora katër e deri në mëngjes, për Partinë Demokratike",- është shprehur dje Gjana, deklarata e të cilit tregon qartazi përdorjen e shtetit për qëllime partiake.
Edhe pse deri më tani asnjë prej zyrtarëve të lartë nuk e pranonte një gjë të tillë, edhe pse në fushata nisen me makinat e shtetit dhe me taborën e administratës, ministri Gjana, duke shfrytëzuar një konferencë pune, nuk ka hezituar ta bëjë një gjë të tillë.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij, ai është ndalur gjerësisht edhe në projektet për zhvillimin e bujqësisë, uljen e importeve dhe thyerjen e disa koncepteve të krijuara për bujqësinë në vendin tonë.
Gjana tha se, Shqipëria plotëson rreth 80% të nevojave për prodhime bujqësore. Ai ka theksuar se importi ka ardhur në rënie të vazhdueshme, duke paraqitur një tabelë me shifra mbi uljen e importit në 3 vitet e fundit. Ministri i Bujqësisë ka folur gjithashtu mbi prodhimin dhe skemat e subvencionit për bujqësinë.
"Ne nuk jemi përlyer për naftën dhe në skemat e bujqësinë, askush nuk ka guxuar dhe nuk do të guxojë të prekë lekët e fermerëve. Janë gjithsej 19 skema subvencioni dhe shumë projekte të tjera që do të realizohen mandatin e ardhshëm qeverisës", -tha Gjana .