Tiranë, vetëvritet polici ushtarak
TIRANË- Një efektiv i policisë ushtarake ka vrarë veten ditën e djeshme me armën e shërbimit teksa ndodhej në shtëpinë e tij në kryeqytet.
Erind Tresa, 23 vjeç, i ka dhënë fund jetës duke u vetëqëlluar me një plumb në zemër. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, aktin e vetëvrasjes 23- vjeçari e ka kryer në momentet që ka qenë i vetëm në shtëpi, në fshatin Damjan në Tiranë.
Familjarët e efektivit të Policisë Ushtarake, e kanë gjetur të riun të shtrirë dhe të gjakosur brenda shtëpisë, të cilët kanë hyrë në banesë sapo kanë dëgjuar krismat e armës. Ata e kanë dërguar të afërmin e tyre në Spitalin Ushtarak për të marrë ndihmën mjekësore, por sapo ka mbërritur në spital, Tresa ka ndërruar jetë.
Policia ka marrë dëshmitë e familjarëve, të cilët kanë dhënë versionin e tyre për vetëvrasjen e njeriut të tyre të afërm. Sipas burimeve policore, Erind Tresa ishte një person që ishte përfshirë më parë në disa ngjarje dhe ka qenë i shoqëruar disa herë në polici.
Sipas policisë, shoqërimi i tij është bërë, duke qenë i dyshuar si autor i disa ngjarjeve të ndodhur në kryeqytet. Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit, gjatë javëve të fundit dyshohet se viktima ishte autor i një vjedhjeje, por që nuk është konfirmuar zyrtarisht. Efektivat e Policisë në Komisariatin nr. 6 po hetojnë shkaqet që e kanë çuar 23- vjeçarin të vetëvritet në banesë.