Kamioni me bombola gazi rrezikon shpërthimin
Gjirokastër, makina është përplasur me një maune dhe rreth 50 bombola me gaz kanë rënë në rrugë pa shpërthyer
GJIROKASTER- Përplasja e dy automjeteve për pak sa nuk ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë. Rreth 50 bombola gazi kanë rrezikuar shpërthimin e tyre, ndërsa automjeti me të cilin po transportoheshin ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. Ndërhyrja në kohë ka bërë që rreziku të evitohej.
Ka qenë ora 09.00 e paradites së djeshme, kur automjeti tip kamion që transportonte bombola gazi, me targa "TR 1774 K", i drejtuar nga 42- vjeçari Roland Çeno, gjatë parakalimit në krahun e kundërt, është përplasur me maunen me targa "SH 51 53 E", i drejtuar nga 50- vjeçari Tahir Buhaj. Ngjarja ndodhi në rrugën kombëtare Gjirokastër- Kakavijë, në afërsi të fshatit Frashtan në komunën e Dropullit të Poshtëm.
Të dy automjetet kanë humbur kontrollin dhe janë zhvendosur në krahun e djathtë të rrugës, kanë bërë të ditur burime nga reparti zjarrfikës. Ka qenë një dëshmitar okular ai që ka njoftuar uniformat blu dhe zjarrfikësit e Gjirokastrës, pasi rreth 50 bombola të mbushura me gaz mund të shpërthenin.
Aksi kombëtar është bllokuar për rreth 20 minuta, derisa të gjitha bombolat janë siguruar, duke shmangur në këtë mënyrë incidentin që mund të kishte pasoja të rënda.
"Falë njoftimit në kohë nga një dëshmitar okular është bërë e mundur që situata të normalizohet dhe 50 bombolat e gazit të mos shpërthejnë",- është shprehur Lefter Qiriqi, shefi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit për Qarkun e Gjirokastrës (SHMZSH).
Rreth orës 10.00 operacioni për zhvendosjen e bombolave të gazit ka përfunduar dhe aksi rrugor ka qenë më tej i kalueshëm.
Ndërkaq, policia e Gjirokastrës ka nxjerrë edhe shkaqet e këtij aksidenti.
"Kamioni që po transportonte bombolat e gazit ka tentuar të parakalojë në drejtim të kundërt dhe si pasojë të dyja automjetet kanë humbur drejtim, duke u zhvendosur në krahun e djathtë të rrugës kombëtare, në drejtim të Kakavijës", kanë bërë të ditur burime nga inspektorati i qarkullimit rrugor në Drejtorinë e Policisë së Qarkut.
Në aksident ka mbetur i plagosur lehtë, drejtuesi i kamionit, shtetasi Roland Çeno, që është dërguar urgjentisht në spitalin civil rajonal "Omer Nishani" për të marrë ndihmën e parë dhe aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.