Programi i PS-së, ja shtyllat kryesore
PS-ja synon të prezantojë një program, me qëllim përmirësimin e jetesës
TIRANË- Një program që do të nxjerrë vendin nga prapambetja, në të cilën e ka lënë politika e vjetër. Ky është cilësimi që i ka vënë Partia Socialiste programit të saj elektoral dhe qeverisës, pikat kryesore të të cilit i janë bërë të ditura dje edhe Asamblesë Kombëtare.
Në një material të shkurtër, të përgatitur nga sekretariati për programin, janë pasqyruar të gjithë hapat që janë ndjekur në hartimin e këtij programi në gati 20 muaj punë, i cili ka nisur me mbledhjen e të dhënave dhe fotografimin e situatës në terren gjatë "Dialogut me Shqipërinë" dhe që ka përfunduar vetëm para pak javësh me konsultimin e tij me grupe shumë të ngushta ekspertësh.
Programi, që prej tre javësh ka nisur të prezantohet për qytetarët, është organizuar sipas një ndarjeje në 3 pjesë të mëdha dhe, më konkretisht, në zhvillimin ekonomik, zhvillimin social dhe shtetin e së drejtës.
Këto tri ndarje kryesore janë detajuar më pas në mënyrë shumë kapilare dhe për të arritur në një listë me 107 çështje, ku përfshihen të gjitha problemet dhe funksionet që duhet të realizojë një qeverisje e përgjegjshme.
Koordinimi i punës për tri ndarjet kryesore u bë nën drejtimin e Arben Malajt, për zhvillimin ekonomik, Ylli Manjanit, për shtetin e së drejtës dhe Ilir Beqjas, për zhvillimin social.
Me përfundimin e kësaj faze të dytë, rezulton se janë më shumë se 1000 faqe të shkruara rishtas për secilën nga 107 çështjet e hollësishme, të përcaktuara si të domosdoshme për të filluar një qeverisje të plotë që në ditën e parë të fillimit të punës.
PS-ja bën të ditur se ka hartuar tashmë edhe një parashikim të zhvillimit ekonomik të vendit, bazuar në një model makroekonomik të përdorur nga vendet e lindjes europiane që janë anëtarësuar në Bashkimin Europian pas vitit 2000. Ndërkohë, për prezantimin më të gjerë të tij, Asambleja ka vendosur që të organizojë një konferencë kombëtare më datën 16 maj.
Asambleja ka ngarkuar Kryetarin, Edi Rama, që të negociojë dhe nënshkruajë marrëveshjen për koalicionin paraelektoral
Slogani i PS-së, "Politikë e re për ndryshim"
"Politikë e re për ndryshim". Ky do të jetë slogani me të cilin do të paraqitet para elektoratit, në garën e ardhshme zgjedhore, Partia Socialiste. Megjithëse një gjë e tillë nuk është prezantuar ende zyrtarisht nga selia rozë, një frazë e tillë ka qenë stampuar dukshëm në podiumin ku kanë qëndruar krerët më të lartë të kësaj force gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare, që ka zhvilluar punimet dje në Tiranë.
Nuk dihet ende nëse ky do të jetë slogani që do të përfaqësojë edhe koalicionin e ardhshëm zgjedhor që pritet të përcaktohet këto ditë, ku dhe pritet të bëhen pjesë PSD-ja, PDS-ja, G99-a. Për këtë arsye, Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka ngarkuar Kryetarin e saj, Edi Rama, të finalizojë konsultimet me forcat aleate për të arritur nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi paraelektorale.
"Me qëllim për të maksimizuar rezultatin zgjedhor me anë të koalicioneve parazgjedhore në zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit 2009, Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi të miratojë hyrjen e Partisë Socialiste në koalicion zgjedhor me subjekte politike elektorale që kanë afërsi me programin, idetë, qëllimet, qëndrimet dhe filozofinë qeverisëse të PS-së, si dhe të mandatojë Kryetarin Edi Rama për të nënshkruar marrëveshjet e koalicionit parazgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009, me të gjitha forcat politike që do t'i bashkëngjiten këtij koalicioni", - thuhet në vendimin e djeshëm të Asamblesë.