Dështon procesi me dyer të mbyllura ndaj bandës së Durrësit, munguan avokatët
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda, pas një dështimi historik në procesin ndaj bandës së Durrësit, mbyll dyert duke vendosur të mos lejojë më median të jetë e pranishme në sallë. Në fillim të seancës së djeshme, kryetari i kolegjit penal të krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari urdhëroi jo vetëm nxjerrjen e medias nga salla por edhe të familjareve të të pandehurve. Procesi i cili prej muajsh është vetëm në pritje të dëshmisë së të penduarit Adriatik Coli, u zhvillua për pak minuta edhe pse me dyer të mbyllura. Pas këtyre kërcënimeve avokatët kanë kërkuar masa sigurie, por gjykata e ka refuzuar atë. Përveç masave ekstreme të ruajtjes ndaj të pandehurve dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë Adriatik Coli, në masa ruajtje janë edhe dy prokurorët e çështjes që vijnë në gjykatë të shoqëruar nga bodigardë.
Vodhi me anë të mashtrimit karta rimbushëse të celularëve, arrestohet
Korçë – Forcat e policisë kanë mundësuar dje ndalimin e 22-vjeçarit Mirjen Musollari, lindur dhe banues në fshatin Lozhan të rrethit të Korçës, i dënuar edhe më parë për vjedhje, pasi ndaj tij rëndon akuza e mashtrimit. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, ai ka vjedhur me anë të mashtrimit 5 karta rimbushëse të telefonisë celulare në një nga dyqanet në lagjen 18 në qytetin e Korçës. Po me anë të mashtrimit, ai ka vjedhur edhe 4 karta telefoni celulari në një njësi tjetër tregtie në lagjen nr.10 të qytetit të Korçës. Lidhur me këto fakte, janë kryer veprimet proceduriale për veprën penale të “Mashtrimit më shumë se një herë”, parashikuar nga neni 143/2 të Kodit Penal. Materialet për hetime të mëtejshme do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës.
5 Qershor 2009