E Diel, 1 Nëntor 2026

Fjalimi në Kajro, Obama fiton admirimin e botës arabe

 

Presidenti Barak Obama, ka mbajtur dje në Kajro një fjalim madhështor me qëllimin për të riparuar lidhjet mes islamit dhe SHBA-ve, duke fituar reagime pozitive nga të gjitha anët e botës arabe. Arabët kanë parë fjalimin e presidentit Obama dhe kanë deklaruar për mediat lokale dhe ndërkombëtare se, ai ka fituar admirimin e tyre me mesazhet predikuese si dhe diskutimin e ndershëm, që rrallë iu takon ta marrin edhe nga vetë liderët e vendeve të tyre. Në fjalimin e mbajtur në Universitetin e Kajros, Obama tha se Amerika dhe Islami ndanin parime të përbashkëta për drejtësinë, përparimin dhe tolerancën. Presidenti amerikan shtoi se ai do të luftonte kundër stereotipave negative për Islamin, kurdo që ato të shfaqeshin. “I njëjti parim duhet të aplikohej edhe tek perceptimi mysliman për Amerikën”, vlerësoi Obama. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk ishin në luftë me Islamin, por do të luftonin ekstremistët e dhunshëm që përbënin kërcënim për sigurinë. Ai tha se forcat amerikane kishin shkuar në Afganistan nga nevoja, pas sulmeve të 11 shtatorit, për të ndjekur Al Kaedën dhe Talibanët. Obama e përshkroi pushtimin e SHBA-së në Irak si një luftë që ishte zgjedhur. Ai tha se kjo i kishte kujtuar Amerikës nevojën për të përdorur diplomacinë dhe për të ndërtuar një konsensus ndërkombëtar. Presidenti tha se gara e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme duhej të parandalohej. Çdo vend, përfshirë edhe Iranin, duhet të ketë të drejtën për energji bërthamore nëse respektonte traktatin e mospërhapjes bërthamore. Ndërsa sipas tij, e vetmja zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, ishte që aspiratat e të dyja palëve të realizoheshin përmes dy shteteve që do të jetonin në paqe dhe siguri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›