E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bllokohen në Tiranë makinat me targa të huaja

08/05/2005  TIRANË- Policia Rrugore prej të paktën tri ditësh ka filluar një aksion për bllokimin e të gjitha mjeteve me targa të huaja që kanë kaluar afatin, që përcakton dokumentacioni i tyre për lejen e qëndrimit në Shqipëri. Aksioni përfshin edhe ato mjete, të cilat nuk janë të pajisura me dokumentacion të rregullt dhe mbajnë targa të huaja. Lajmi është bërë i ditur dje për gazetën "Metropol" nga burime të Komisariatit të Policisë Rrugore, të cilat thanë se eprorët e kanë nxjerrë këtë urdhër me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore nga ana e drejtuesve të këtyre mjeteve. Madje, nga ky ndëshkim i ditëve të fundit, nuk do të shpëtojnë as vetë punonjësit e policisë, të cilët disponojnë mjete me dokumentacione të parregullta dhe targa të huaja. Këta të fundit kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me këto veprime, për shkak se, sipas tyre, këto mjete janë në qarkullim për një afat të caktuar dhe vetëm nëse ky afat shkelet, atëherë punonjësit e Policisë Rrugore kanë të drejtë të veprojnë. Ndërkaq, burimet e Policisë Rrugore thanë se, bllokimi i mjeteve që kanë kaluar afatin e qarkullimit të tyre në vend, bëhet për shkak të eliminimit të të gjitha mundësive për abuzime. Në disa pika të Tiranës, si "ish-blloku", stadiumi "Qemal Stafa" dhe "Tirana e Re", sipas burimeve policore, janë kryer me dhjetëra aksione, gjatë të cilave u sekuestruan disa mjete, pronarët e të cilëve dispononin dokumente të parregullta. Aksionet më të rrepta që njihen vitet e fundit janë "Liqeni 3" dhe "Liqeni 4", gjatë të cilave Policia Rrugore ka bllokuar me qindra makina në të gjithë vendin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›