E Hënë, 2 Nëntor 2026

Minierat e Korçës, “flenë” rrezikshëm për banorët

08/05/2005  Mbyllja, varfëri për 10 mijë punëtorëve, helme për banorët

KORÇE – Aktualisht, 13 minierat e Qarkut të Korçë flenë “gjumin” e thellë të nëntokës, duke mbyllur për 15 vjet me radhë 10 mijë vende pune. Para viteve ’90 eksportoheshin 220 mijë tonë mineral dhe kjo mungesë eksporti për më shumë se 10 vjet, ka thelluar edhe më tepër varfërinë e këtij rajoni, sepse industria nxjerrëse dhe përpunuese ishte një nga prioritetet e ekonomisë së tij. Megjithëse prej 15 vitesh këto miniera nuk janë shfrytëzuar në brendësi të tyre, ato janë kthyer të rrezikshme. Gazra dhe helme të çliruara nga thellësitë e galerive rrezikojnë jetën e banorëve të zonave ku janë 13 minierat e pasiguruara.

Minierat dhe varfëria

Zona e Gorës, që jetonte me këtë industri, sot përbën pjesën më të varfër të popullsisë të Qarkut të Korçës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për zonën malore të Pogradecit. Minierat më të rëndësishme si Drenova, Alarupi, Lozhani, Rehova, Bitincka etj., kanë dalë jashtë funksionit. Si në këto miniera ashtu edhe te gjithë të tjerat, teknologjia e nxjerrjes dhe e përpunimit është krejtësisht e amortizuar, makineri dhe pajisje kanë dalë jashtë përdorimit.

Tashmë mosfunksionimi i minierave jo vetëm që ka sjellë varfëri, por në të njëjtën kohë janë kthyer në rrezik imediat për jetën e njerëzve, kafshëve dhe bimësisë. Proceset e ndryshme kimiko-fizike që ndodhin brenda puseve dhe galerive të braktisura shfryjnë gazra të dëmshme për jetën e njerëzve dhe mjedisit.

Këtë shqetësim e bëjnë të ditur për gazetën “Metropol” inxhinierët e minierave Dhimitër Pina dhe Veledinin Mehmeti.

Shumë prej minierave në fjalë janë në shembje e sipër, siç është ajo e Bezhanit, Drenovës, Vidohovës, Lubonjës, por nuk janë në gjendje më të mirë as të tjerat.

Projektet e mbylljes dhe të sigurimit të minierave nuk janë vënë ende në zbatim. Të vetmet masa që janë marrë, janë ato të mbylljes së grykave të puseve dhe galerive, por specialistët thonë se kjo praktikë nuk përbën asnjë siguri, sepse fenomenet shkatërruese të minierave ndodhin në brendësi të tyre.

Pasuritë minerare

Rajoni i Korçës është i pasur në minerale. inxhinierët e minierave Pina dhe Mehmeti përmendin si të tilla, qymyrgurin, bakrin, kromin, hekurnikelin, asbestin, talkun, rërën kuarcore, argjilin, materialet e ndërtimit, gurët dekorativë etj. Specialistët e minierave thonë sem veç minierave ekzistuesem janë zbuluar edhe rezerva të tjera minerare. Të tilla janë dy vendburime hekurnikeli, dy vendburime me krom, dy vendburime me talk, katër vendburime me argjilë dhe dy vendburime me rërë kuarcore për prodhimin e qelqit. Vetëm rezervat e qymyrgurit llogariten në 69.183.000 tonë, ndërsa rezervat energjetike, nëse do të shfrytëzohet edhe torfa e fushës së Maliqit, shkon në 31 milionë tonë.

Por, që të gjitha këto pasuri kanë mbetur të vdekura, pasi aktualisht nuk shfrytëzohen.

Minierat që punojnë

Në të vetmet miniera që janë vënë në punë disa sektorë me anë të konçensioneve janë ato të Drenovës, Lozhanit dhe Bitinckës, ku në tre minierat punojnë vetëm 383 punëtorë. Nxjerrja e mineralit aktualisht është në shifrat minimale, për të mos thënë se ky prodhim është krejtëssht i pandjeshëm.

Vënia në funksionim e minierave, shprehen inxhinierët Veledin Mehmeti dhe Dhimitër Pina, është e lidhur ngushtë me zhvllimin e degëve të tjera të industrisë në vend si prodhimi i avullit, prodhimi i energjisë elektrike, prodhimi i materialeve të ndërtimit, metalurgjia e mineraleve të ndryshme etj.

Në Korçë nuk ekziston më Fabrika e Qelqit, e Fajancës, TEC-i etj., të cilat mund të ishin nxitje për industrinë minerare. Në të njëjtën kohë është mjaft i vogël prodhimi i gëlqeres, i tullave tradicionale, të cilat do të paraqesnin kërkesa për qymyrguri.

Zyra e Programim Zhvillimit

E ardhmja drejt privatizimit

Sipas zyrës së Programim Zhvillimit, në Qarkun e Korçës po bëhen të gjitha përpjekjet për privatizimin e minierave, duke përfshirë këtu si dhënien me qira të tyre, ashtu edhe konçensionet. Por gjithë shpresa mbetet ende te sipërmarrja e huaj.

Nëse do të realizohej një projekt i tillë, minierat e Qarkut Korçë do të mund të nxirrnin nga kthetrat e varfërisë mijëra banorë të zonave rurale, por njëkohësisht do të ndalej edhe shembja e tyre, e cila po përbën një fenomen të frikshëm për këtë rajon, sepse po kërcënon jetën e banorëve dhe të mjedisit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›