E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miniera e Bezhanit, “mina me sahat” nën shtëpitë e banorëve

08/05/2005  Shembje e dheut rrezikon jetën e fëmijëve e bagëtive

KOLONJE - Miniera e Qymyrgurit Bezhan është kthyer në një rrezik serioz për jetën e banorëve të zonës, por edhe për bagëtinë dhe bimësinë e saj. Nga organet përgjegjëse jo vetëm që nuk është folur për rrezikshmërinë e saj, por mund të thuhet se është lënë krejtësisht në harresë.

Për këtë shqetësim është prononcuar për gazetën “Metropol” një nga specialistët e kësaj miniere, inxhinieri Dhimitër Pina, i cili është dhe një nga autorët e realizimit të projektit për mbylljen dhe sigurimin e minierës.

Sipas inxhinierit Pina, “projekti ka parashikuar deri në imtësi çdo proces të mbylljes dhe sigurimit të galerive dhe puseve. Janë llogaritur, tha ai, të gjitha fondet e nevojshme për këtë problem, por deri tani dosja voluminoze ka mbetur nëpër sirtare pa u vënë në zbatim dhe pa u kujtur kush që ky projekt të mund të realizohet”.

Nga shpjegimet e inxhinierit Pina, mësohet se “rreziku shkaktohet nga mundësia e shfryrjes së gazrave të dëmshëm nga galeritë, të cilat, edhe pse nuk janë në funksionim, brenda tyre ndodhin procese të ndryshme fiziko-kimike. Këto procese përcillen me ulje të tavaneve dhe me nivelin e galerive në të gjithë sipërfaqen e tyre. Hyrjet e galerive dhe të puseve janë bllokuar, por kjo nuk do të thotë as mbyllje, as sigurim i minierës. Në mbrojtje të jetës së njerëzve është bërë një investim intelektual i pallogaritshëm, por deri më sot nuk është vënë në zbatim, çka do të thotë se jeta e banorëve përreth nuk është e sigurtë. Kjo ndodh pasi galeritë përmbyten nga ujërat dhe gjatë gjithë kohës ndodhen nën presionin e gazrave. Për rrjedhojë, materialet e përdorura për ndërtimin e galerive, humbasin cilësinë dhe rezistencën e tyre dhe gjithçka mund të shembet papritur. Nëse ndodh një fenomen i tillë, gjë që nuk përjashtohet, shembja mund të marrë brenda vetës bagëti që kullosin mbi sipërfaqe, njerëz që punojnë në tokën e tyre, mjete të transportt, fëmijë që luajnë dhe kalimtarë të rastit”.

Por, siç pohon inxhinieri Dhmimitër Pina, miniera e Bezhanit përmban brenda vetes një rrezik mjaft serioz, sepse formacionet e saj kanë qenë të dobta dhe rrëshqitja e tokës ka qenë mjaft e madhe. Banorët e zonës nuk e dinë se ç’ndodh poshtë banesave të tyre dhe nuk e mendojnë se jetojnë bashkë me rrezikun dhe se mund të ndodhë një katastrofë njerëzore.

13 miniera ka patur

rajoni i Korçës

10 mijë persona

kanë qenë të punësuar

220 mijë tonë mineral

eksportoheshin çdo vit

69.183.000 tonë

rezervat aktuale minerare

31.000.000 tonë

rezervat aktuale energjetike

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›