E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dalin nga paraburgimi, ndihmuan në arratisjen e adoleshentit

08/05/2005  Ilir Gjona dhe Bashkim Salliu u liruan dje në mëngjes nga Komisariati numër 4

TIRANË- Lirohen dy bashkëpunëtorë që ndihmuan hajdutin 17-vjeçar të arratisej nga qelitë e paraburgimit. Burime të Komisariatit numër 4 thanë për gazetën se, dje në orët e paradites janë lënë të lirë Ilir Gjona, 25 vjeç dhe Bashkim Salliu, 48 vjeç, të dy nga Tirana, të cilët ndihmuan adoleshentin. Gjona dhe Salliu janë arrestuar disa ditë më parë nën hetim, për një vepër penale që dyshohen se kanë kryer, por prangosja e tyre tri ditë më parë erdhi pasi, duke qenë të izoluar në të njëjtin ambient me 17-vjeçarin V.V., e kanë ndihmuuar atë për t’u larguar dhe nuk kallëzuan krimin. Pra, edhe pse akuzoheshin për dy vepra penale, burimet e këtij komisariati thanë se ata janë lënë të lirë, ndërsa përveç arrestimit të adoleshentit 28 orë më pas dhe prangosjes së dy personave që e kanë ndihmuar, janë shoqëruar në ambientet e brendshme e më pas u liruan edhe nënoficeri i sallës operative dhe nënoficeri i informacionit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, konfirmuan për gazetën se V.V., 17 vjeç, lindur në Bulqizë dhe banues në Tiranë, u largua nga ambientet e sigurimit të Komisariatit nr.4, duke thyer hekurat e dhomës në të cilën ishte vendosur në pritje për t’u marrë në pyetje. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, i dyshuari ishte arrestuar para disa ditësh për shkak se u kap duke vjedhur një magazinën "Pan Alba" me mallra ushqimore, në rrugën “5 Maji” në kryeqytet dhe ishte vendosur në dhomën e marrjes në pyetje të të dyshuarve.

Arrestimi

Në orën 07.45 të tri ditëve më parë, rreth tri furgona me forca policore shkuan pranë Fushë-Bulqizës, pasi arritën të sigurojnë informacione të vlefshme, se 17-vjeçari i arratisur po fshihej te disa të afërm të tij. Burimet policore nga ky komisariat thanë për gazetën se pas rrethimit të zonës, të dyshuarit, nëpërmjet kontakteve të punonjësve të policisë, me disa të afërm dhe familjarë, iu kërkua dorëzimi i tij. I arratisuri, pa rezistencë të gjatë, ka pranuar t’i rivihen prangat, duke u kthyer sot në mesditë, 28 orë pas arratisë, në Komisariatin nr.4 në Tiranë, për të përfunduar në një dhomë izolimi të sigurisë së lartë, kësaj radhe pa "tela alumini".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›