E Hënë, 2 Nëntor 2026

Medalje bronxi, me të holla borxh

08/05/2005  Historia e sportistit të arteve marciale, që është barktisur nga të gjithë...

BERAT – Një sportist i ri, i arteve marciale, ka marrë të holla borxh për t’u futur në garën sportive në kampionatin ballkanik, ka arritur të zërë edhe vendin e tretë, duke marrë edhe medaljen e bronxit dhe askush nuk i ka thënë të paktën një fjalë të ngrohtë, përveç prindërve dhe trajnerit. Kampionati u organizua në shtetin grek dhe sportisti shqiptar, nga Berati, mori vendin e tretë, duke marrë medaljen e bronxit dhe duke lënë pas 5 vendet ballkanike dhe dy vendet skandinave, atë të Suedisë dhe të Norvegjisë.

Për sportistin 19-vjeçar Florian Sulejmani, nga Berati, i cili vetëm 10 ditë më parë mori pjesë e fitoi në kampionatin ballkanik të sportit “Taekëon”, ky indiferentizëm është një zhgënjim e trishtim.

“Në këtë kampionat, tregon Floriani, për gazetën ‘Metropol’, shorti më ra të ndeshesha me sportistin e Suedisë dhe fitova, duke u kualifikuar në fazën e parë dhe po atë ditë, edhe pse isha pak me grip, në ring u ndesha me sportistin norvegjez. Në këtë ndeshje e hodha në noukand, por u skualifikova, pasi gjyqtari grek e quajti goditje të fortë veprimin tim. Pas kësaj ndeshjeje të peshave të rënda, unë arrita të kualifikohem nga juria me medaljen e bronxtë, duke zënë vendin e tretë dhe duke lënë pas 5 vende ballkanike si Malin e Zi, Maqedoninë, Turqinë, madje duke lënë pas edhe skuadrën e Ukrainës”, thotë Sulejmani.

Si arritët të merrni pjesë në kampionatin ballkanik të këtij sporti?

Kjo u arrit fal punës time dhe stërvitjes, që më ka bërë trajneri im. E kam filluar këtë sport të “Taekwon” në moshën 8 vjeç, duke u stërvitur në palestër private me trajnerin Bujar Çaushin. Me këtë trajner u përgatita edhe për 8 vjet të tjera, deri në moshën 16 vjeç.

Ku morët pjes për herë të parë në gara?

Kam marrë pjesë për herë të parë në moshën 9 vjeç në kampionatin kombëtar, që u organizua në Fier dhe zura vendin e dytë, ku munda rivalin tim fierak.

Po më pas?

Në vitin 1996, në kampionatin kombëtar të këtij sporti u shpalla kampiom kombëtar dhe skuadra jonë e Beratit zuri vendin e parë.

Kur filluat sërish garimet?

Pas më shumë se tre vjetësh, në vitin 1999, u zhvillua kampionati kombëtar në Vlorë, unë atje dola kampion dhe i gjithë ekipi jonë sportiv zuri vendin e dytë, duke u renditur pas atij të Apolonisë. Në këtë garim zunë vendin e parë në pesha të mesme edhe sportisti Mystahak ismaili.

Çfarë rezultatesh të tjera keni “arkivuar”?

Në ndeshjet për Kupën e Republikës, unë mbajta sërish medaljen e vendit të parë, ndërsa skuadra e Beratit zuri vendin e dytë, duke u renditur pas atij të Flamurtarit, në këtë kupë dolën 4 vende të para në pesha të ndryshme në 10 garime.

Pjesëmarrjen në këto gara kush ua financonte?

Të gjitha stëvitjet dhe pjesëmarrjet në garimet në kampionate kombëtare dhe ndërkombëtare apo kupa të ndryshme të organizuara brenda dhe jashtë vendit i kishim dhe kemi nga xhepi, madje edhe ushqimin dhe udhëtimin i paguanim vet, vetë blinim edhe veshjet sportive. Askush nuk pyet për ne asnjëlloj federate në Shqipëri. Madje, është turp ta thuash se kur shkova një ditë në Federatë Sportive të Shumësportit dhe u tregova për pjesëmarjen tonë në kampionatin ballkanik, ata më thanë, ‘pse kemi ne sportista?’, ndërsa një tjetër tha, ‘nuk e di se çfarë lloj sporti është ky që po më tregon!’.

Në kampionate ndërkombëtare ku i keni siguruar financimet?

Mos pyet më tej, pasi është vërtet turp, shpenzimet ja mora babait, madje federata nuk na pagoi edhe lekët sipas faturës të vizave që ishte vetëm 5.5 mijë lekë edhe në rastin e kampionatit ballkanik, që u zhvillua një muaj më parë, u detyrova që babai të gjej lekë borxh, pasi unë nuk punoj, se jam në shkollë.

Pse nuk more pjesë në kampionatin evropian, që u zhvillua vetëm një javë më parë në irlandë?

Janë shumë arsye. E para, familja ime nuk mbulonte dot shpenzimet, pasi ato shkonin deri në 3000 euro, e dyta, shteti i irlandës nuk ka ambasadë në shtetin tonë, ndaj për të marrë një vizë më duhej më parë të merrja vizë në ambasadën greke dhe pastaj të paraqitesha në ambasadën e irlandës, që është në shtetin grek dhe të merrje këtë vizë duheshin shumë procedura, që zgjasnin shumë dhe donin shumë shpenzime. Në fakt këto shpenzime dhe këto procedura duhet t’i bëjë federata jonë, për atje askush nuk të shikon me sy.

Në kampionatin botëror, që organizohet në Australi, në fund të këtij viti, ju do merrni pjesë?

Po, jemi mobilizuar dhe po bëjmë stërvitje intensive për të garuar në ring me dinjitet për të hyrë të paktën në 5 vendet e para të botës, për këtë po përegatitet çdo 5 ditë dhe një herë në 15 ditë vjen nga Selaniku edhe trajneri Arjan Kamberi dhe po na stërvit në palestra private, pasi ne jemi sportistë të ekipit kombëtar të këtij sporti. Deri tani pa ndihmën e federatës, duke marrë para borxh, jemi të vetmit sportist që sjell në Atdhe kaq shumë medalje ari, argjendi dhe bronxi.

Çfarë apeli bëni për federatën?

Po bëjë apel për ndihmë, që të na lehtësoj procedurat për pjesëmarrjen në këtë kampionat botëror dhe të na japin ndihmë e financim edhe nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit.

Rezultatet e ekipit përfaqësues

Në këtë kampionat ballkanik, skuadra kombëtare shqiptare arriti të grumbullojë një medalje ari, një argjendi dhe 6 medalje bronxi, ndërsa trajneri shqiptar zuri vendin e parë për peshat e lehta. Edhe pse skuadra merrte pjesë për herë të parë në këtë evendiment sportiv, ajo u rendit në vendin e tretë pas Greqisë dhe Bullgarisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›