Bllokohen në autostradë 4 kamionë me skrap, dyshohet i vjedhur
LUSHNJE – Bllokohen katër kamionë me skrap të vjedhur. Në autostradën Lushnjë-Rrogozhinë u ngritën dje postblloqe të policisë, të cilat kryen kontrollin e gjithë mjeteve të tonazhit të rëndë që transportonin skrap. Nga kontrollet e kryera u konstatuan katër kamionë, drejtuesit e të cilëve nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm për origjinën e skrapit që transportonin. Burime të Policisë së Lushnjës bënë të ditur se kontrolli u krye në kuadër të një aksioni për evidentimin e rasteve të vjedhjeve të skrapit, që kohët e fundit është kthyer në fenomen. Kështu, vetëm për pak orë policia ka mundur të bllokojë katër kamionë me skrap, që dyshohet se është i vjedhur. Ndërkaq, mësohet se ka nisur hetimi për zbulimin e prejardhjes së kësaj sasie të konsiderueshme hekuri. Sipas burimeve, transportuesve u është kërkuar që të deklarojnë se ku e kanë blerë këtë sasi mbetjesh metalike. Gjithashtu, ka nisur edhe verifikimi nëse hekurishtet u përkasin ndërmarrjeve të ndryshme të naftës, si shtetërore apo private apo tubacioneve të vaditjes e gazit, vjedhjet e të cilave janë konstatuar në mënyrë të shpeshtë gjatë muajve të fundit. Por, burimet e Policisë nuk kanë bërë të ditur detaje të mëtejshme lidhur me identitetin e drejtuesve të kamionëve që transportonin skrapin, duke pohuar se kjo do të dëmtonte hetimin. Mësohet se Policia e Fierit ka nisur një hetim gjithëpërfshirës për këtë fenomen, që ka goditur së fundmi mjaft ndërmarrje të industrisë dhe bujqësisë në të gjithë qarkun. Hajdutët e skrapit, pasi zhveshën gjithë ish-Uzinën e Azotikut, i kthyen sytë nga puset e naftës. Nuk kanë qenë të pakta rastet e dhunës ndaj punonjësve të Albpetrol-it. m.r