E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, 6 muaj afat për zbardhjen e “Gërdecit”

 

Fatos Mahmutaj

Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli, tre të arrestuarit për tragjedinë e Gërdecit do të qëndrojnë në qeli deri më 16 mars 2009. Këtë kohë, Gjykata e Tiranës e vlerësoi dje të mjaftueshme për prokurorinë me qëllim plotësimin e dosjes së tragjedisë së Gërdecit. Zgjatja e afateve të paraburgimit me 6 muaj të tjerë, u kërkua nga organi i akuzës me vendim të Kryeprokurores Ina Rama në Gjykatën e Lartë pak ditë më parë, pas ngritjes së akuzës "vrasje masive" ndaj Delijorgjit, Pinarit dhe Dritan Minxollit. Rrëzimi i kërkesës në Gjykatën e Lartë, detyroi prokurorinë t'i drejtohej Gjykatës së Tiranës e cila më parë kishte vendosur një masë sigurie për tre të pandehurit e tragjedisë, Delijorgji, Pinari dhe Minxolli. Para gjyqtarit të çështjes prokurori Sokol Stojani kërkoi pranimin e kërkesës për zgjatje të afateve të hetimit të çështjes, një vit në total, siç i kërkon procedura penale në bazë të akuzës së re të ngritur më 23 korrik 2008. Të pandehurit nuk preferuan të merrnin pjesë në seancë duke deklaruar se ngarkonin avokatët e tyre për t'i përfaqësuar në mungesë. Para gjyqtarit të çështjes u paraqit avokati Arben Prifti për të përfaqësuar në mungesë Delijorgjin dhe Minxollin, ndërsa Pinari u braktis nga të dy avokatët e zgjedhur, duke detyruar gjykatën t'i caktonte kryesisht avokaten Nevila Pushi. Mbrojtësi i Delijorgjit, presidentit të kompanisë "Alba-Demil", që kryente demontimin e predhave në Gërdec kur ndodhi tragjedia dhe Minxollit, drejtorit të kësaj firme, i kërkoi gjykatës rrëzimin e kërkesës së prokurorisë duke pretenduar shkelje procedurale. Sipas avokatit, akuza "vrasje me paramendim për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, kundër më shumë se një personi", klientëve të tij u ishte komunikuar më datë 23 korrik të këtij viti, ndërsa ligjet procedurale kërkojnë vlerësimin e masës së sigurisë në mënyrë të menjëhershme në gjykatë. Në këtë rast kanë kaluar dy muaj e gjysmë derisa kërkesa ka mbërritur te togat e zeza, dhe si e tillë, sipas mbrojtjes ishte jashtë afatit ligjor. Po kështu edhe avokatja e Pinarit pretendoi të njëjtën gjë, ndërsa pretendimet e të dy mbrojtësve u rrëzuan nga gjykata, e cila vendosi zgjatjen e afateve të hetimit me argumentet se ligji ia jep të drejtën prokurorisë, që për këtë vepër akuzës të ketë në dispozicion një vit kohë. Pas shpalljes së vendimit gjykata nëpërmjet postës ia dërgoi nga një kopje të vendimit në qeli të pandehurve, në mënyrë që të njihen zyrtarisht me akuzën.

Delijorgji, në gjykatë ose në liri për 6 muaj

TIRANE - Hetimi për tragjedinë e Gërdecit ka hyrë në një fazë të re të tij e cila kushtëzon dukshëm organin e akuzës. Hetimet për të cilat po kujdeset veç gjashtë prokurorëve edhe vetë kryeprokurorja Ina Rama, tashmë janë të kushtëzuara të përfundojnë brenda 6 muajve, përndryshe tre të pandehurit, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxolli rrezikojnë të lirohen nga burgu. Kjo për shkak se ligji shqiptar përcakton se në kushtet kur masa e sigurisë për mbajtjen në burg është shtyrë dy herë nga 6 muaj, nuk mund të bëhet shtyrje tjetër por në rast se hetimet nuk përfundojnë në kohë, gjykata është e detyruar të ndërpresë mbajtjen në burg të personave të dyshuar. Në këtë mënyrë Prokuroria ka vetëm 6 muaj kohë të përfundojë hetimet për Gërdecin dhe të zbardhë shkaqet dhe fajtorët e ngjarjes që shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 300 të tjerëve.                                                          t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›