E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen pasaportat e agjentëve të SHIK

Në pamundësi për të urdhëruar arrestimin e tyre, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon të sigurohet se tre ish-punonjësit e Shërbimit Informativ Kombëtar, të akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës, të mos largohen nga Shqipëria.

Trazhgim Sokolaj

 Grupi hetimor i çështjes ka hartuar një kërkesë, e cila do t'i drejtohet Gjykatës së Krimeve të Rënda, kompetente për dosjen. Togave të zeza u kërkohet nga Prokuroria që të heqin të drejtën e largimit nga Shqipëria për Arben Segjinin, ish-drejtor i SHIK-ut të Tiranës, Avni Koldashin, ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçen, ish-inspektor i Shërbimit Informativ Kombëtar, dega Tiranë. Lajmi konfirmohet nga burime të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat thanë se për tre të pandehurit, është e pamundur të merret ndonjë masë tjetër sigurie, qoftë edhe arrestimi, pasi ata e kanë përfunduar kohën e paraburgimit kur u prangosën për të njëjtën ngjarje në vitin 2003. Për këtë shkak, Prokuroria ka kërkuar që t'i ndalohet largimi jashtë vendit përmes bllokimit të pasaportave, drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini si dhe dy ish-punonjësve të tjerë të SHIK-ut, të akuzuar për bashkëpunim e pjesëmarrje në rrëmbimin dhe torturimin e biznesmenit Remzi Hoxha. Ai u zhduk në mënyrë misterioze, pasi u rrëmbye në oborrin e punishtes së duraluminit "Albatros" në pronësi të tij, rreth orës 13:30 të 21 tetorit 1995. Një makinë tip "Golf II" me targa TR 2449 C, ka marrë Remzi Hoxhën "për një sqarim", por më pas është zhdukur çdo gjurmë e tregtarit që kishte vetëm pak kohë që ishte vendosur me banim në Tiranë. Për këtë ngjarje, Prokuroria akuzon edhe një tjetër ish-punonjës të SHIK-ut, Ilir Kumbaron, i cili nuk është arrestuar asnjëherë, pasi dyshohet se është larguar në drejtim të Anglisë që në vitin 1997. Sipas burimeve të Prokurorisë, mësohet se kërkesa për ndalimin e daljes jashtë vendit për tre ish-punonjësit e SHIK-ut është bërë pasi ka dyshime se ata mund të largoheshin për t'i shpëtuar gjykimit.
Hetimi i rrëmbimit
Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila rihapi hetimet për zhdukjen e Remzi Hoxhës në vitin 2005, ka arritur të dokumentojë krimin që dyshohet se është kryer prej ish-agjentëve të SHIK-ut. Ata veç kryerjes së veprave penale "rrëmbim personi" dhe "torturë me pasoja të rënda" të parashikuara nga legjislacioni shqiptar, akuzohen se kanë shkelur nenin nr.2 të Konventës Ndërkombëtare të Mbrojtjes së Personave nga Zhdukja. Kjo konventë është nënshkruar dhe miratuar edhe nga Shqipëria dhe si e tillë ajo ka epërsi mbi ligjet e brendshme të vendit me përjashtim të Kushtetutës. Kryerja e veprimeve që bien ndesh me Konventën Ndërkombëtare, sipas Prokurorisë, do ta rëndojë akoma më shumë pozitën penale të personave të akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime, të cilat zbuluan se kishin lidhje mes zhdukjes se biznesmenit kosovar dhe rrëmbimit të dy personave të tjerë në tetor 1995. Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj, janë dy personat e tjerë, që për dy ditë janë mbajtur në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku ka qëndruar edhe Remzi Hoxha pasi ishte rrëmbyer. Ziso Kristopulli, i cili ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për ngjarjen si dhe Avdyl Loshaj, janë dëshmitarët kryesorë të Prokurorisë në dosjen penale që akuzon katër ish-punonjës të SHIK-ut. Loshaj është marrë në pyetje në Holandë për katër ditë me radhë nga një prokuror shqiptar. Ai dhe Kristopulli konsiderohen dëshmitarë okularë, pasi pohojnë se kanë dëgjuar Remzi Hoxhën të bërtiste gjatë keqtrajtimeve në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku besohet se është marrë në pyetje për dy ditë dhe më pas ka vdekur si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij. Rrëmbimet e Avdyl Loshajt dhe Ziso Kristopullit janë përfshirë në dosjen penale për zhdukjes së Remzi Hoxhës, pasi duket se kanë autorë të njëjtë. Në këtë mënyrë, Prokuroria veç provave të tjera të reja ka siguruar edhe dy dëshmi okulare për fajësinë e të akuzuarve.  

Të akuzuar

1. Arben Sefgjini
ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, aktualisht me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në Ministrinë e Financave

2. Ilir Kumbaro
ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë

3. Avni Koldashi
ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë SHIK, Tiranë

4. Budjon Meçe
ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë

Akuzat
"Rrëmbim personi"
"Torturë me pasoja të rënda"

Dosja "Hoxha", Anibal Basha, dëshmi në procesin kundër ish-shefave të tij
TIRANE - Anibal Basha, ish-SHIK-as që u bë i njohur kur qëlloi në nëntor 2006 ish-shefin e vet, Fatos Klosi, është një nga gjashtë dëshmitarët që pritet të pyeten në Gjykatën e Krimeve të Rënda për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Burime nga gjykata pohojnë se, Basha është një nga personat që ka dijeni për ngjarjen e ndodhur në 1995-ën. Dosja e përbërë nga 7 fashikuj, u depozitua në gjykatë pasditen e së premtes dhe pritet që nesër në mëngjes të hidhet në short për t'iu caktuar gjyqtari që do e shqyrtojë atë. Paraprakisht pohohet se në dosje mungojnë emrat e ish-kreut të SHIK-ut, Bashkim Gazidede dhe ish-funksionarëve të këtij institucioni, të cilët janë akuzuar publikisht nga familjarët e Hoxhës. Katër të pandehurit: Arben Sefgjini, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, aktualisht kreu i Tatimeve në Ministrinë e Financave; Ilir Kumbaro ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë; Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë së SHIK-ut, Tiranë dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë, akuzohen të kenë konsumuar në vitin 1995 veprat penale të "rrëmbimit të personit" dhe "torturës me pasoja të rënda", për të cilat nëse gjenden fajtorë nga gjykata, rrezikojnë dënimin kapital me burg të përjetshëm. Sipas akt-akuzës, katër të pandehurit dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha. Ndërsa dy personat e tjerë që janë torturuar në Vain të Lezhës, Kristopulli dhe Loshaj, pritet të thirren në gjykatë për të dëshmuar ndaj të akuzuarve.                        fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›