E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakël shqiptar në sytë e Ari Hanit

Futbollistët shqiptarë që luajnë në Ukrainë i kanë bërë një surprizë të bukur trajnerit të

Kombëtares, Ari Han, teksa në derbin e djeshëm mes tyre, protagonistë kanë qenë pikërisht kuqezinjtë që luajnë te Vorskla Poltava dhe te Krivbasi. Dorian Bylykbashi i Krivbasit dhe Debatik Curri i Vorsklas kanë shënuar gola për skuadrat e tyre respektive dhe kanë spikatur në këtë takim, megjithëse tri pikët i mori skuadra e Vorsklas, falë penalltisë së ekzekutuar mjeshtërisht në minutat shtesë të ndeshjes nga mbrojtësi i Shqipërisë, Debatik Curri. Trajneri i Kombëtares Ari Han dje ishte në stadium për të parë nga afër ndeshjen mes Krivbasit dhe Vorsklas. Te këto dy skuadra aktivizohen Isli Hidi, Ervin Bulku, Dorian Bylykbashi dhe Henri Ndreka ndërsa te Vorskla luajnë Debatik Curri, Armend Dallku dhe Ahmed Jonuzi. Takimin e fitoi skuadra e Vorsklas 2-1 me golin e shënuar nga Debatik Curri me penallti në minutat shtesë. Të parët që kaluan në avantazh ishin pikërisht vendasit e Vorsklas me Markovskin i cili shënoi që në minutën e 13-të të takimit. Bylykbashi barazoi shifrat në minutën e 63-të, teksa mundi portierin kundërshtar nga pika e bardhë e 11-metërshit. U duk se ndeshja do të përfundonte në barazim, por në minutën e 91-të të ndeshjes gjyqtari akordoi 11-metërsh për Vorsklan. Me këtë fitore Vorskla parakaloi Krivbasin në tabelën e renditjes, pasi aktualisht gjendet në vendin e 10-të me 29 pikë të grumbulluara, një pikë më shumë se Krivbasi. Në këtë ndeshje luajtën si titullarë, Hidi, Bulku, Bylykbashi, Curri dhe Dallku, ndërsa Henri Ndreka nuk është aktivizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›