E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pensionistët, afatet për shpërblimin e fundvitit

10/12/2009  Festat e fundvitit pritet të sjellin vendimin e qeverisë mbi shpërblimin e parashikuar për pensionistët. Ndërkohë mësohet se ekspertët e Ministrisë së Financave përveç përllogaritjes së faturës që do të përballohet nga buxheti i shtetit do të përcaktojnë dhe afatet kur do të nisë ndarja e këtij fondi. Burimet kanë theksuar se pavarësisht situatës ekonomike në botë, do të punohet për të arritur në shpërblimin e pensionistëve apo dhe përfituesve të tjerë, si skema e ndihmës ekonomike apo invalidët. Kjo për t’u dhënë mundësi gjithë familjeve që për fundvitin të kenë një festë të bukur.

Mësohet se propozimi do të kalojë për votim brenda një jave në qeveri. E në rast se do të gjejë mbështetjen e Ministrisë së Financave, do të kalojë për zbatim nga ISSH-ja. Ndërkohë, ashtu si dhe vitet e shkuara, ISSH-ja pritet të realizojë skemën sipas grafikëve të orientuara nga datat e tërheqjes së pensioneve. Megjithatë, ekspertët sqarojnë se deri tani shpërblimi për festat e fundvitit është vetëm një propozim, i cili do të kërkojë miratimin në qeveri dhe më pas kalimin për zbatim konkret.

Përfituesit

Një vit më parë evidencat e përcaktuara nga specialistët e ISSH-së tregojnë se në rang vendi janë mbi 550 mijë pensionistë që kanë përfituar këtë formë shpërblimi. Ndërkohë një vit më parë u përfshinë dhe personat me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, si ushtarakë, punonjës të Policisë së Shtetit dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Paralelisht me pensionistët edhe punonjësit e administratës shtetërore pritet të përfitojnë shpërblimin në fund të vitit. Ndryshe nga vitet e shkuara, nuk do të ketë më një pagë të plotë shtesë, por një shpërblim prej 10 mijë lekësh për gjithë punonjësit, si dhe një shumë shtesë për punonjësit e dalluar. Për këta të fundit çdo fond që do të jepet do të kalojë i argumentuar për të mos lejuar dhe tejkalimin e fondeve përkatëse të dhëna për ministritë apo për të shmangur abuzimet dhe daljen nga kriteri i meritokracisë. Ndryshe nga pensionistët, për këta të fundit është marrë vendimi në qeveri dhe pritet vetëm nisja e aplikimit. Ndërsa për shpërblimin e moshës së tretë pritet të jetë vetë kryeministri Berisha që do të deklarojë shumën përkatëse që do të jepet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›