E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bllokohen ushqime jashtë standardit dhe të skaduara

23/03/2005  Kontroll inspektoriati

KORÇË - Gjatë dy ditëve të fundit nga ana e inspektoriatit rajonal të ushqimit në Korçë në bashkëpunim edhe me inspektoriatin sanitar shtetëror u krye një kontoll masiv në pjesën dërmuese të subjekteve, që tregtojnë me shumicë produkte ushqimore.

Për pasojë, 25 magazina u kontrolluan në qytetin e Korçës me qëllim që të shihej afati i skadencës dhe etiketimi i mallrave të importit në gjuhën shqipe si dhe marketingu dhe cilësia e produktit të gatshëm.

Sipas burimeve nga inspektoriati sanitar shtetëror, mësohet se në disa magazina u gjetën produkte në të cilat nuk ishin vendosur etiketa në gjuhën shqipe, kryesisht për mallra që vinin nga Turqia dhe Maqedonia. Gjithashtu, në mjaft magazina u gjetën edhe shumë produkte ushqimore të prodhuara në vend, të pashoqëruara me fletë-analiza nga prodhuesit e tyre.

Si rrjedhim, u bllokuan 991 kg të këtyre mallrave, që kapin një shifër prej 177 250 lekë (të reja). Gjatë këtij kontrolli u gjetën edhe mallra, për të cilat inspektoriati i ushqimit kishte dyshime për sa i përket cilësisë dhe afateve të skadencës, kryesisht djathë kaçkavall, gjalpë, biskota, lëngje frutash, çokollata etj. Kjo sasi malli u sekuestrua dhe u asgjësua duke u djegur nga komisioni i ngritur për këtë qëllim.

Sasia totale e mallit është 238 kg, me një vlerë prej 81000 lekë (të reja).

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se në dy raste u vërejtën shkelje të dispozitave ligjore për sa i përket zbatimit të ligjit nr.7941, datë 31.05.1995 për ushqimin. Si rrjedhim u vendosën gjoba me një vlerë gati 10000 lekë (të reja). Në krahasim me kontrollet e kryera vitin e kaluar u vërejtën përmirësime, por ka ende shumë për të rregulluar, vërejnë inspektorët e këtij kontrolli.

991 kg ushqime

pa fletë-analize

177 250 lekë

vlera e ushqimeve të bllokuara

238 kg ushqime

të skaduara

81 000 lekë

vlera e ushqimeve të skaduara

2 subjekte

me shkelje të dispozitave ligjore

10 000 lekë

vlera e gjobave

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›