E Hënë, 2 Nëntor 2026

Brigada e Xhenjos, 2 milionë euro makineri e pajisje

23/03/2005  Italianët, ndihma për ushtrinë shqiptare

DURRËS - Delegacioni Italian i Ekspertëve (D.I.E.) i ka dhuruar forcave ushtarake shqiptare pajisje në vlerën 2 milionë euro. Në ceremoninë e organizuar me rastin e dorëzimit të pajisjeve dhe materialeve dhe të zhvilluar në Komandën e Forcave Tokësore në Durrës ka qenë i pranishëm ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, si dhe ushtarakë të lartë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura.

Delegacioni Italian i Ekspertëve, i komanduar në vendin tonë nga Gjen. Brig. Salvatore Gravante, i ka dhuruar ushtrisë sonë 26 kamionçina VM-90, 38 automjete si kamionë, autopompa, hapëse pistash me goma dhe zinxhirë, 23 rimorkio e vinça ngritës, 9 kontenierë me materiale, pajisje shëndetësore dhe pjesë këmbimi për automjetet e xhenios. Materialet e dhuruara nga ushtria italiane do të shërbejnë për fuqizimin e Brigadës së Xhenjos për njësitë e përfshira në punimet rrugore, në rritjen e funksionimit cilësor të Brigadës së Reagimit të Shpejtë dhe Bazës së Mbrojtjes Civile.

Me këtë rast, ministri Majko ka theksuar se ky dhurim bën pjesë në projektet e shumta që D.I.E. po realizon në bashkëpunim me qeverinë shqiptare për riorganizimin e strukturave tona të armatosura dhe përshtatjen e tyre me modelin e forcave të NATO.

Majko: Në Irak 20 marinsa shqiptarë

Ministri i Mbrojtjes, Pandeli Majko, ka rikonfirmuar se ushtria shqiptare po përgatit kontigjentin e radhës për ta dërguar në Irak. Kreu i ushtrisë shqiptare është shprehur se 120 trupa po përgatiten intensivisht dhe ata do të jenë të gatshëm të nisen drejt Irakut në mesin e muajit prill.

Majko ka deklaruar se Shqipëria është tashmë e pozicionuar në krah të luftës kundër terrorizmit dhe se do të jetë e gatshme të dërgoj forca në të gjitha vendet, ku kërcënohet liria dhe demokracia, gjithnjë në përbërje të aleancës ushtarake dhe sipas strategjisë së saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›