Bllokohet Llogoraja, zbardhet edhe Himara
Që prej mbrëmjes së të mërkurës, aksi rrugor Vlorë-Himarë ka qenë i bllokuar për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Makinat mund të shkonin dje deri në afërsi të fshatit Dukat, pasi më lart, në zonën turistike të Llogorasë ka qenë e pamundur, pasi trashësia e dëborës sa vinte dhe shtohej dhe i ftohti i madh deri në minus 5 gradë e shndërronte në akull këtë shtresë dëbore. Shumë mjete janë bllokuar në afërsi të Dukatit, pasi policia rrugore nuk i lejonte të kalonin Qafën e Llogorasë. Drejtori i Rrugëve për rrethin e Vlorës, Sajmir Haxhiu, tha se "Kjo situatë nuk është parë prej vitesh në Qarkun e Vlorës. Një segment rrugor prej 20 km të jetë i bllokuar nga dëbora ka vite që nuk ka ndodhur në Vlorë". Ai sqaroi se që nga fshati Dukat deri në Palasë, rruga është e pakalueshme pa zinxhirë. Trashësia e dëborës arrin deri në 40 cm në qafë, por gjithmonë problem ngelet ngrica e cila e bën edhe më të pakalueshme këtë rrugë. "Ne kemi kërkuar ndihmë dhe nga firma të ndryshme për mjete për pastrimin e dëborës, por ka qenë e vështirë, pasi reshjet nuk pushonin", tha Haxhiu.
Ndërkohë, mësohet se reshjet e dëborës nuk kanë rënë vetëm në zonat malore, por edhe në bregdet. Qyteti i Himarës është zgjuar dje i zbardhur nga dëbora. Për këtë zonë, kjo është gjë e rrallë. Banorët treguan se për herë të fundit kanë parë dëborë në qytetin e tyre në vitin 1993.