E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet Rinasi, pasagjerët në kaos

Moti i keq paralizon aeroportin e vetëm në vend. Qindra pasagjerë që udhëtojnë për festa janë bllokuar në aeroporte
Mjegulla e dendur mbajti të bllokuar deri në mesnatë aeroportin. Disa avionë ulen në Podgoricë
TIRANË- Mjegulla e dendur paralizoi dje aeroportin e Rinasit, duke shkaktuar kaos për qindra pasagjerë që kishin planifikuar fluturime, në prag të festës së Vitit të Ri. Situata e rënduar atmosferike ka sjellë bllokimin e uljeve dhe ngritjeve të avionëve rreth orës 15.00 të pasdites së djeshme, ndërsa ka vazhduar deri në orët e vona të mbrëmjes. Për këtë arsye, dhjetëra fluturime janë anuluar, ndërsa dy avionë kanë devijuar udhëtimin, duke u ulur në Podgoricë. Burime nga aeroporti i Rinasit bëjnë me dije se bllokimi i fluturimeve ka vazhduar deri në mesnatë, pasi mjegulla nuk është shpërndarë e kushtet atmosferike nuk janë përmirësuar.
E ndërsa avionët e nisur drejt Shqipërisë janë kthyer mbrapsht ose i janë drejtuar pistës së aeroportit të Podgoricës në Mal të Zi, aeroporti i Rinasit ka qenë deri në orët e vona i pushtuar nga kaosi. Dhjetëra qytetarë shqiptarë kanë pritur më kot përmirësimin e kushteve atmosferike, por bllokimi i fluturimeve ka vazhduar deri në mesnatë. Asnjë nga avionët e linjave nuk është lejuar të niset, si pasojë e mjegullës. Kjo situatë nuk ka bllokuar vetëm linjat nga Shqipëria drejt vendeve te tjera, por edhe anasjelltas, pasi janë njoftuar për situatën meteoroligjike në Rinas. Punonjësit e aeroportit kanë pohuar mbrëmë se pasagjerët, që në këto ditë festash kanë planifikuar të festojnë jashtë Shqipërisë janë njoftuar se aeroporti do të qëndronte i bllokuar deri në përmirësimin e motit, ndërsa puna më e madhe e menaxhimit të fluturimeve të ardhshme iu mbetet agjencive të udhëtimit.
Peripeci duket se kanë kaluar edhe ata emigrantë që dje kishin planifikuar të vinin në shtëpitë e tyre, për të gëzuar me të afërmit festat e fundvitit. Një pjesë prej tyre janë detyruar të ndryshojnë destinacion dhe të flenë një natë në Podgoricë, në pritje të zhdukjes së mjegullës në Rinas, ndërsa të tjerët janë bllokuar në aeroportet e Italisë dhe Greqisë. Burime nga Rinasi shtojnë se fluturimet do të rifillojnë sapo moti të jetë i sigurt, por kaosi i shkaktuar nga vonesat pritet t'i shoqërojë punonjësit e aeroportit edhe gjatë ditës së sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›