Ekstradohen nga Italia dy të kërkuar për vrasje
Armand Deda dhe Shkëlqim Beqiraj akuzohen për vrasjet në Lezhë dhe në Berat
TIRANË- Ekstradohen nga Italia dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. Armand Deda, 34- vjeç nga Mirdita dhe Shkëlqim Beqiraj, 27-vjeç, nga Fieri janë ekstraduar ditën e djeshme nga Roma e Italisë, pasi figuronin në listën e personave të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Burime zyrtare nga policia e shtetit thanë se ndaj Dedës, Gjykata e Rrethit Lezhë, më datë 20 shtator të vitit 2000 ka caktuar masën e sigurimit "arrest me burg" për veprat penale të "vrasjes me paramendim" dhe 'armëmbajtjes pa leje". Sipas vendimit të gjykatës, Armand Deda në datën 12 korrik të këtij viti, në lagjen "Gurra" të qytetit të Lezhës ka vrarë me armë zjarri shtetasin Pashk Jaku. Ky i fundit ndodhej në verandën e një lokali së bashku me një mikun e tij në momentin që është qëlluar. Dyshohet se Deda ka ardhur në afërsi të lokalit me një motoçikletë dhe pasi i është afruar viktimës, e ka qëlluar disa herë me një pistoletë, të cilën e kishte mbështjellë me një gazetë. Menjëherë pasi kreu krimin, Deda është larguar me shpejtësi duke u shpëtuar prangave të policisë. Ndërsa i ekstraduari tjetër, Shkëlqim Beqiraj, është dënuar nga Gjykata e rrethit Gjyqësor Berat më datë 30 mars të vitit 2006 me 25 vjet heqje lirie për veprën penale të "vrasjes në rrethana cilësuese", e kryer në bashkëpunim. Ngjarja për të cilën u dënua Beqiraj ka ndodhur më 21 mars të vitit 2001, në fshatin Samaticë të Komunës Kutalli, Berat kur ai ka vrarë Mariglen Cani dhe Valter Bega. Dy viktimat po ktheheshin nga puna, të hipur në një automjet bujqësor. Në rrugën kryesore të fshatit ata janë qëlluar me armë zjarri dhe si pasojë kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Një nga personat e identifikuar që ka qëlluar me armë zjarrirezultoi të ishte Shkëlqim Beqiraj. Ngjarja ndodhi për motive hasmërie në të cilat ishin familjet Bega dhe Beqiraj.