Sherr në këshillin bashkiak për ndërmarrjen e gjelbërimit
Elbasan, këshilltarët e majtë dhe të djathtë janë zënë sërish për tenderin e shumëpërfolur të gjelbërimit të qytetit
ELBASAN- Ndërmarrja e Gjelbërimit ka qenë shkaku i konfliktit më të fundit në Këshillin Bashkiak të Elbasanit mes këshilltarëve të djathtë dhe të majtë. Kur të gjithë mendonin se ky fundviti do të mbyllej me konsensus dhe paqësisht ka mjaftuar çështja për formën e administrimit dhe një relacion për punën gjashtë mujore të ndërmarrjes së gjelbërimit që mes këshilltareve të regjistrohej një debat që do të zgjaste rreth 4 orë.
Kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë, Blendi Himçi, tha se Ndërmarrja e Gjelbërimit nuk ka bërë një punë të mirë pasi shifrat e vendosura në zërat e realizuar janë të larta dhe nuk janë zhvilluar procedurat e prokurimit për blerjen e rreth pesë mijë fidanëve të mbjellë në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë, kryetari i grupit të këshilltarëve të majtë, Ilir Bejtja, i ka dalë në mbrojtje bashkisë duke deklaruar se materiali i paraqitur nuk duhet të diskutohet apriori por të gjykohet në bazë të verifikimeve që mund të bëjë një komisionngritur për këtë qëllim. Më pas debati është vazhduar edhe nga këshilltarët e tjerë, ka ndërhyrë kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, i cili kërkoi edhe një herë të ngrihet një komision dhe të verifikohet puna e ndërmarrjes si dhe shifrat e relacionit. Sejdini përmendi edhe një herë faktin se në fillim të punës së tij i është ofruar 20 mijë euro nga një firmë private për të vazhduar administrimin e Ndërmarrjes së Gjelbërimit dhe se kalimi në administrim bashkisë kishte si qëllim evitimin e këtyre formave korruptive që shkonin në kurriz të qytetarëve. Por edhe pse debatet kanë vazhduar, vendimi përfundimtar për kalimin e Ndërmarrjes së Gjelbërimit në administrim privat ka marrë shumicën e votave nga këshilltarët e djathtë. Pas këtij vendimi kur pritej edhe një tjetër për lejimin e administrimit nga ana e bashkisë për periudhën deri në tenderim, këshilltarët e majtë kanë braktisur sallën në shenjë proteste megjithëse nuk është përcaktuar ende qartë nëse u votua apo jo edhe për këtë pikë. Në fund të mbledhjes që kaloi me shumë debate dhe kundërshtime kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, dhe kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë, Ilir Bejtja, dolën në një konferencë për shtyp duke akuzuar këshilltarët e djathtë për sabotim të punës së bashkisë dhe lënien në mëshirë të fatit për periudhën në vazhdim deri në procesin e tenderimit të Ndërmarrjes së Gjelbërimit.