Prokuroria, tjetër akuzë për Arben Golemin
TIRANË- Prokuroria e Tiranës ngre një tjetër akuzë ndaj ish-drejtorit të Politikave të Zhvillimit në Ministrinë e Turizmit, Arben Golemi. Burimet zyrtarë pranë organit të akuzës konfirmuan lajmin e ngritjes së akuzës ndaj Golemit për "shpërdorim të detyrës", pasi gjatë kohës që drejtonte drejtorinë e Politikave të Zhvillimit ka dhënë tituj në dobi të firmave që nuk kishin paguar garancitë bankare, sipas ligjit për turizmin. "Pas kallëzimit të depozituar në prokurorinë e Tiranës nga zyra juridike e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, në kohën që ky institucion drejtohej nga ministri Bujar Leskaj, hetuesit e prokurorisë kanë filluar hetimet paraprake, duke verifikuar kallëzimin. Pas kryerjes së verifikimeve të dokumentave zyrtare që ndodheshin në këtë ministri dhe nëpër disa filiale bankash, është faktuar se janë dhënë tituj personave të ndryshëm, pa një garanci bankare, duke i stimuluar për biznese",-thuhet nga prokuroria. Ndaj tij mësohet se është ngritur akuza e "shpërdorimit të detyrës", pasi në selektimin dhe shpërndarjen e titujve (yjeve) nuk ka zbatuar ligjin. Pritet që në ditët e para të janarit, pranë prokurorisë të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij Arben Golemi, i cili në shkurt të këtij viti doli nga qelia e paraburgimit "Mine Peza" pas 250 ditëve në qeli, pas arrestimit të tij në qershor të vitit 2006.