"Lutem të shpëtojnë pjesëtarët e tjerë të familjes"
Vjehrri i viktimës, Fran Lugina, rrëfen rrjedhën e ngjarjes dhe si mori vesh për tragjedinë
A mund të na tregoni si ndodhi ngjarja?
Mbrëmë kemi festuar festën e Shën Gjonit, që e feston e gjithë zona jonë, pavarësisht se kemi gati 6 vjet që jemi ulur nga Dukagjini, këtej më poshtë. Tek djali im që e ka shtëpinë këtu afër meje, vetëm 10 m në të majtë të saj, kanë ardhur për të festuar dhe njerëzit e nuses së tij, të cilët jetojnë në Dobraç, fshat afër tonit. Kanë qëndruar deri rreth orës 24.30 duke ngrënë e pirë, si për festë. Pastaj kanë rënë për të fjetur. Më nuk di se çfarë ndodhi.
Si e morët vesh se çfarë kishte ndodhur?
Sot rreth orës 07.30, ka qenë djali tjetër imi që është zgjuar i pari, pasi dhe ne kishim ndenjur deri vonë duke festuar. Ai ka dalë dhe ka shkuar tek shtëpia e vëllait të tij, Gëzimit, për tu përshëndetur. Me të kanë qenë dhe baxhanaku i Gëzimit dhe nusja e tij, të cilët kishin ndenjur mbrëmë tek Gëzimi deri në 24.30, më pas kishin shkuar për të fjetur për arsye vendi. Ata i kanë rënë derës, por nuk është përgjigjur kush. Nga dritarja e përparme kanë parë se në kuzhinë ishin pa u zgjuar disa prej pjesëtarëve të shtëpisë, ndërsa kanë ndier dhe erën e gazit. Kanë hapur derën me forcë dhe duke mbyllur hundët nga era e rëndë kanë parë se askush nuk u përgjigjej thirrjeve të tyre. Jam lajmëruar nga të thirrurat e tyre dhe bashkë dhe me fqinjët kemi hyrë në kuzhinë e dhomë ku kemi marrë pa ndjenja Gëzimin, fëmijët dhe miqtë e tij, dhe më pas janë dërguar në spital.
Po nusja e djalit tuaj, Liza?
Liza është diktuar e para se ka qenë e rrëzuar në poltronin në korridor, por ajo nuk ka dhënë asnjë shenjë jete. Jemi përpjekur ta përmendim, por nuk ka reaguar. Ndryshe nga të tjerët ajo nuk merrte frymë fare dhe zemra i kishte pushuar. Pastaj erdhi policia dhe e mori trupin e saj. Kaq di të them. Unë kam tre djem e një vajzë. Tani do bëjmë gati shtëpinë për ceremoninë mortore të Lizës, ndërsa shpresoj që të tjerët që janë në spital të mund të shpëtojnë.