E Shtunë, 31 Tetor 2026

Energjia, digjen dy banesa në Shkodër

Zjarri shpërtheu gjatë natës, 12 persona në rrugë të tmerruar: Kërkojmë ndihmë, jemi pa strehë  Shkodër-Energjia elektrike mendohet të jetë shkaku i djegies së dy banesave, në Shkodër dhe Velipojë gjatë natës së kaluar. Ka qenë ora 01.25, kur është shfaqur zjarr në anën e djathtë të një banese të vjetër dykatëshe në lagjen "Guerile", në fund të rrugës "Bujar Beshanaku". Zjarri është përhapur me shpejtësi në ambientet e shtëpisë, duke depërtuar dhe tek ato familje që ishin në një kulm me të dhe me çati të përbashkët. Personat që po flinin kanë mundur të dalin jashtë të tmerruar. Katër zjarrfikëse janë përpjekur të lokalizojnë e shuajnë zjarrin e madh, por këtë kanë arritur ta bëjnë vetëm në pjesën e majtë të shtëpisë, pak më pak se gjysma e saj, ku jetonin dy familje. Të pesë familjet e kësaj banese ishin të vendosura njëra pas tjetrës, nën një çati e me kulm të përbashkët, ndërsa oborri ndahej me mur të brendshëm për secilën. Zjarri ka shkrumbuar gjithçka që kishin familjet e Skënder, Myzafer e Sami Dodës, gjithsej 12 persona, të cilët kanë mbetur pa strehë. Çatia ka rënë në pjesën më të madhe, ndërsa ambientet e brendshme janë shkrumbuar bashkë me orenditë e pajisjet. I vetmi ngushëllim për këto familje është fakti që nuk ka pasur dëme në njerëz. Mes lotësh, familjarët të cilët brenda pak minutash kanë humbur gjithçka kishin, apelojnë për ndihmë nga shteti, bashkia e kushdo tjetër. Shkaku i zjarrit mendohet të jetë një qark i shkurtër elektrik i shkaktuar në instalimet e banesës së vjetër, ndërsa lënda prej druri ka favorizuar përhapjen e shpejtë të tij. Paralelisht me këtë zjarr, një tjetër shtëpi është djegur në Pulaj të Velipojës, jo shumëlarg zonës së Plazhit. Banesa tip vile me tre kate në pronësi të shtetasit Mark Uldedaj ka marrë zjarr gjatë mesnatës. Në shtëpinë e cila ndodhet në krahun tjetër të rrugës sapo kalon vendin e quajtur Sektor Velipojë, nuk ka banuar askush, pasi pronarët e saj ndodhen familjarisht në Itali. Kanë qenë të afërm të tyre që kanë shtëpitë aty pranë që kan parë tymin të dilte nga një prej ambienteve të katit të dytë. Ato kanë lajmëruar zjarrfikëset, ndërsa kanë ndërhyrë dhe vetë me mjete rrethanore, zorrë uji e kova. Në katin e dytë të banesës janë djegur dy dhoma , ndërsa pjesa tjetër e shtëpisë ka shpëtuar. Mendohet se shkak të ketë qenë energjia elektrike. Ndërhyrja e zjarrfikëseve ka qenë vendimtare, pasi zjarri është lokalizuar pa u përhapur në të gjithë ambientet e banesës.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›