Ushtari vret veten mbi librat me poezi
Xhevahir Avdia, ushtar profesionist nga Tropoja në Zall-Herr është gjetur i vetëvrarë në shtëpinë e marrë me qera
Policia: Po verifikojmë mbi fejesën e tij. Ka qëlluar veten me plumb në afërsi të zemrës
TIRANË- Gjendet i vetëvrarë ushtari profesionist. Xhevahir Avdia, 25-vjeç, është vetëvrarë dy ditë më parë ndërsa trupi i tij u gjet paraditen e djeshme në banesën që ai kishte marrë me qira në rrugën "Besa" në Tiranë. Burime nga policia thanë se ushtari i Repartit të Forcave Komando në Zall-Herr ka qëlluar veten me një plumb pranë zemrës, gjë e cila i ka shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Efektivët e komisariatit të policisë nr.4 nisën menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet që detyruan 25-vjeçarin nga Tropoja, i cili ishte ushtar me rrogë në Tiranë, t'i jepte fund jetës. Megjithëse policia ka marrë në pyetje të njohur të Avdisë, ende nuk ka mundur të zbardhë motivin e kësaj vetëvrasjeje. Mësohet se Xhevahir Avdia disa vjet më parë kishte qenë në një mision paqeje në Bosnje, ndërsa kohët e fundit ishte ushtar profesionist në Repartin e Forcave Komando në "Zall-Herr.
Ngjarja
Prej dy ditësh, familjarët e ushtarit Xhevahir Avdia, të cilët jetojnë në Tropojë ishin përpjekur të lidheshin në telefon me të, por pa rezultat. Thirrjeve telefonike të familjarëve të tij, 25-vjeçari nuk u ishte përgjigjur gjë e cila i ka alarmuar ata. Në pamundësi për t'u nisur nga Tropoja drejt Tiranës, familjarët e ushtarit kanë lajmëruar shokun e tij të interesohej. Kështu, paraditen e djeshme shoku i 25-vjeçarit ka shkuar në banesën ku jetonte me qira ky i fundit. Atje ka takuar të zonjën e shtëpisë, të cilën e ka pyetur nëse e kishte parë Xhevahirin. Mësohet se e moshuara ka treguar se prej dy ditësh nuk e kishte parë qeraxhinë e saj të hynte në banesë. Në këto kushte, shoku i ushtarit dhe e zonja e banesës tentojnë të hapin derën e dhomës ku qëndronte Avdia. "Tentuam të hapnim derën me çelës, por ishte e pamundur pasi në bravë ndodhej një çelës nga brenda. Pas shumë përpjekjesh për të hapur derën, u detyruam ta shkatërrojmë atë"- mësohet të kenë deklaruar para oficerëve të policisë, shoku i ushtarit dhe zonja e shtëpisë, të cilët kanë shtuar se sapo hapën derën, ndjenë dhe erën e keqe që vinte nga dhoma. Ata kanë gjetur të pajetë në shtratin e tij 25-vjeçarin Xhevahir Avdia. Menjëherë lajmëruan policinë e cila mbërriti për të bërë këqyrjen e provave.
Motivi
Në bazë të këqyrjes së vendit të ngjarjes, policia ka arritur në përfundimin se Xhevahir Avdia është vetëvrarë. Fakti që dera ka qenë e mbyllur nga brenda dhe ekspertiza e qitjes së pistoletës me të cilën është qëlluar Avdia kanë çuar policinë të klasifikojë ngjarjen në vetëvrasje. Burime nga policia thanë se nga verifikimet e kryera, rezulton se arma me të cilën është kryer vetëvrasja nuk është në organikën e repartit të Zall-Herrit.Ndërkohë që policia nisi menjëherë hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj vetëvrasjeje. "Mësuam se ushtari ishte i fejuar, por ende nuk kemi verifikuar nëse ka pasur probleme me të fejuarën. Ndërsa pranë trupit të tij ndodhej një tavëll me rreth 15 bishta cigareje, të cilët dyshohet se 25-vjeçari i ka konsumuar pak minuta para se të vetëvritej",- thanë për gazetën "Shekulli" burime nga policia. Gjithashtu të njëjtat burime shtuan se pranë trupit të pa jetë të Avdias u gjetën dhe disa libra me poezi. Nga të njohurit e viktimës policia ka mësuar se Avdia ishte një tip i qetë dhe mjaft i ndjeshëm. "Ndonjë zënkë apo depresion çasti mund të ketë ndikuar negativisht te 25-vjeçari i cili nuk ka mundur të përballojë situatën duke gjetur si zgjidhje vetëflijimin", -u shprehën burime policore. Megjithatë efektivat blu shtojnë se ende nuk kanë një version të saktë për vetëvrasjen e ushtarit, por po hetojnë në disa pista. Trupi i pa jetë i Xhevahir Avdisë u transportua në morgun e spitalit, ndërsa më pas iu dorëzua familjarëve në Tropojë.