E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeplaku i Kasharit, mbyllen hetimet për gjobëvënien

 
Prokuroria e Tiranës dorëzon në gjykatë dosjen për kërcënimin e Bardhyl Kamberit
TIRANË- Askush nuk e kishte menduar se pesë muaj pas gjobëvënies dhe kërcënimit të kryeplakut të Kasharit, Bardhyl Kamberi, do të dilte mbi sipërfaqe një nga abuzimet më të mëdha mbi pronat. Por ngjarjet zbuluan njëra-tjetrën, e tashmë Kamberi pritet tëdëshmojë jo vetëm për korrupsionin mbi tokat në Kashar, por edhe për gjobën që i vunë. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur dosjen e gjobëvënies dhe ka çuar për gjykim adoleshentin Algert Hyka, i akuzuar për këtë ngjarje. Ky i fundit, në qershor të këtij viti, ka kërcënuar me telefon Kamberin, duke i kërkuar në formë gjobe 5 milionë lekë të reja. Por duke parë se lekët nuk po i merrte, Hyka ka qëlluar me armë në drejtim të shtëpisë së tij, ku plumbat nuk depërtuan brenda mureve të betonit të ndërtesës, duke shpëtuar pjesëtarët e familjes që ndodheshin brenda saj. Për këtë ngjarje, Prokuroria e Krimeve të Rënda, menjëherë pas arrestimit të adoleshentit Hyka ka filluar hetimet, duke ngritur ndaj tij akuzat e "vrasjes në rrethana të tjera cilësuese e mbetur në tentativë"; "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve". Sipas burimeve zyrtare, pranë institucionit të akuzës konfirmohet lajmi se pas hetimeve gjashtëmujore, prokurori i çështjes ka mbyllur fazën hetimore dhe dorëzoi dosjen për gjykim pranë togave të zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Algert Hyka më 23 qershor, me anë të telefonit, ka komunikuar me kryeplakun BardhylKamberi duke i kërkuar 5 milionë lekë të reja, në të kundërtën e ka kërcënuar se do t'i vriste familjen. "Fillimisht viktima Kamberi nuk e ka vlerësuar këtë kërcënim, por duke parë se po e njëjta thirrje telefonike i është bërë edhe një ditë më pas, më 24 qershor, i alarmuar ka lajmëruar Drejtorinë e Policisë në Tiranë. Pas telefonatës, Kamberi i është drejtuar komisariatit nr.6 duke bërë denoncimin dhe dhënë numrin e telefonit nga është bërë kërcënimi",-thuhet nga burimet.
Pas vënies në përgjim të numrit të telefonit, policia e kryeqytetit me ndihmën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka filluar hetimet. Ndërkohë, i riu duke parë indiferentizmin e Kamberit karshi tij është drejtuar mbrëmjen e datës 25 qershor tek shtëpia e tij dhe ka qëlluar me armë, duke lënë plumbat në murin e shtëpisë. Prokuroria, pas kësaj ngjarjeje ka bërë të mundur identifikimin e vendndodhjes së "gjobëvënësit" dhe më datë 27 qershor i kanë vendosur prangat. Sipas akuzës, motivi që i riu kishte ndaj Kamberit ishte vetëm përfitimi i tij me anë të kërcënimit. Arrestimi i tij u krye gjatë operacionit të koduar "Fortesa" të datës 27 qershor, emër ky i përzgjedhur pas fjalëve të kërcënimit se "nëse nuk i sjell paratë pas dy ditësh, je i vdekur. Megjithatë, njëri prej dëshmitarëve të prokurorisë në dosjen e Kasharit e ka lidhur këtë kërcënim me abuzimet e tokave, duke shtuar gjatë një interviste dhënë për "Shekullin" kohë më parë se i arrestuari për kërcënimet kishte lidhje familjare me njërin prej të arrestuarve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›