E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Buldozeri” Bulku shndërrohet në goleador



Mesfushori shqiptar, Ervin Bulku, po shndërrohet në një goleador në kampionatin ukrainas, pasi me golin e tij në fitoren 2-1 të Krivbasit kundër Zarja Lugansk, jo vetëm që dha kontributin në marrjen e tri pikëve, por shënoi edhe golin e dytë rresht për skuadrën e tij, pas atij të realizuar kundër në fitoren 1-0 në transfertën kundër Harkivit përpara ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve ndërkombëtare. Krivbasi doli fituese në derbin e shqiptarëve të kampionatit ukrainas, pasi për të dyja skuadrat, Krivbas e Zorja, luajnë jo pak, por katër futbollistë nga Shqipëria: Isli Hidi, Evin Bulku e Dorian Bylykbashi (të tre te Krivbasi) e Parid Xhihani (te Zorja). Ish-mesfushori shkatërrues i Tiranës e i Kombëtares shënoi në minutën e 8-të, përpara se Zorja të barazonte tre minuta më pas me Antonovin. Ishte Maksimov me golin e tij të minutës së 74-t ai që i dha fitoren vendasve të Krivbasit. Dy lojtarët e Kombëtares sonë, Isli Hidi e Evin Bulku, luajtën gjatë gjithë takimit, ndërsa kapiteni Dorian Bylykbashi (edhe ky i përfaqësueses sonë), u zëvendësua në minutën e 86-të me Kovalçik. Xhihani, nga ana e tij, luajti si zëvendësues nga minuta e 46-të. Duke mbetur në kampionatin ukrainas, Vorskla Poltava e tre kosovarëve, Armend Dallku, Debatik Curri e Ahmed Januzi, humbi në mënyrë dramatike 2-3 në shtëpi, me një gol të shënuar në minutën e 90-të nga Vorobej. Vorskla udhëhiqte 2-1 kur duheshin edhe diçka më shumë se 3 minuta lojë, por Obereko në të 87’ e më pas Vorobej tri minuta më pas fiksuan shifrat 2-3. Dallku e Curri luajtën 90 minuta të plota, ndërsa sulmuesi i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Januzi, u fut si zëvendësues me fillimin e pjesës së dytë. Sipas lajmeve të publikuara në faqet ukrainase e të përcjella dhe në ato shqiptare, Dallku e Curri janë ndjekur në këtë takim nga të dërguar të posaçëm të gjigantit gjerman Bajern i Munihut.

KRYESON XHIHANI

Golashënuesi më i mirë shqiptar në kampionatin ukrainas mbetet sulmuesi kavajas Parid Xhihani me tetë gola. Dorian Bylykbashi ka shënuar tre gola, ndërkohë që edhe Debatik Curri ka realizuar po tre gola, ndërsa Ahmed Januzi ka vendosur firmën e tij në dy gola.

Salihi, specialist goli në Austri

Nuk e gjeti rrugën e golit me Kombëtaren shqiptare, si me Hungarinë (luajti nga minuta e parë), ashtu dhe Danimarkën (nga pjesa e dytë), por në kampionatin austriak Hamdi Salihi është një specialist i vërtetë goli. Sulmuesi shkodran shënoi në minutën e 60-të golin e barazimin të skuadrës së tij, SV Ried, kundër Altach (1-1) në javën e 28-të Bundesligës austriake, vetëm dy minuta pasi vendasit kishin realizuar me anë të Vorisek (58’).
Edhe në javën e 27-të, po ndaj Altach, por kësaj radhe në shtëpi, Salihi shënoi një gol në fitoren 3-2 të SV Ried. Për ish-sulmuesin Vllaznisë e Tiranës ky ishte goli i tij i 8-të në kampionat dhe i 13 sezonal, përshirë dhe 5 të tillë në Kupën e Austrisë. Gjatë tri dy sezoneve e gjysmë me SV Ried (nga janari 2007), Salihi në 68 ndeshje ka realizuar në total 26 gola.

Skela, në “rënie të lirë”

Ervin Skela “shijoi” nga bankina rënien e lirë të Energi Kotbusit të tij, në humbjen 2-1 në transfertë kundër Eintrahtit të Frankfurtit, edhe pse skuadra e mesfushorit shqiptar shënoi e para në minutën e 11-të me anë të Rangelovit (penallti). Për Eintrahtin shënuan Liberopoulos (15’) e Shtajnhofer (51’). Sipas faqes gjermane kicker.de, trajneri i Kotbusit, Prasnikar, nuk preferoi ta hidhte në fushë Skelën për shkak të lodhjes në ndeshjet ndërkombëtare të Shqipërisë. Kotbusi ndodhet në vendin e parafundit në renditjen e Bundesligës, ndërkohë që mbyll tabelën Karlrsuhe e Edmond Kapllanit (luan të dielën në shtëpi kundër Borusias së Mënshëngladbahut). Hanoveri i Lalës luan po të dielën në transfertë.

6 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›