E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet aksi rrugor Fier-Vlorë 3 orë

27/07/2009  Aksident automobilistik në Fier. Plagosen 4 persona

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur në aksin rrugor Fier-Vlorë dhe pikërisht në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës. Bëhet e ditur se 4 persona kanë mbetur të plagosur, për shkak të përplasjes së fortë të 2 automjeteve, të cilët ecnin në kahe të kundërta të lëvizjes. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 5 e 30 minuta, pak kilometra në daljen jugore të qytetit të Fierit. Të 2 automjetet që janë përplasur kanë rrezikuar jetën jo vetëm të 2 drejtuesve të tyre, por edhe të personave që ishin duke i shoqëruar. Automjeti tip Volsvagen me targa VL 3494C dhe që vinte nga Vlora në drejtim të Fierit është përplasur me automjetin tip Benz Mercedez me targa FR 9257 D, i cili udhëtonte në drejtim nga Fieri drejt Vlorës. Si pasojë e kësaj përplasjeje janë plagosur 2 drejtuesit e mjeteve dhe 2 pasagjerët e tyre. 4 të plagosurit janë dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit dhe janë dërguar në spitalin rajonal të Fierit për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas mjekëve të këtij spitali, të 4 të lënduarit tashmë janë jashtë rrezikut për jetën. Përplasja e këtyre 2 mjeteve ka krijuar çrregullime në fluksin rrugor. Rruga është bllokuar përreth 2 orë duke krijuar një varg prej 3 km në të dy anët e saj. Fluksi i mjeteve është shtuar edhe për shkak të dendësisë së madhe të lëvizjes së mjeteve në këtë aks, të cilët janë kryesisht pushuesit e jugut. Me gjithë mbërritjen e menjëhershme të Policisë Rrugore, zhbllokimi i trafikut ka qenë jo i menjëhershëm për shkak të vendit të vështirë ku ndodhej aksidenti. Pas më shumë se 2 orësh mjetet kanë filluar të lëvizin normalisht në të 2 kahet e lëvizjes. Shkaku i aksidentit sipas Policisë Rrugore ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor për drejtuesin e mjetit Volsvagen. Materialet iu kaluan Prokurorisë së rrethit Fier për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›