Bush furnizon Kosovën me armë
• Presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ka autorizuar furnizimin e Kosovës me armë, duke sinjalizuar vendosjen e marrëdhënieve mes qeverive pas njohjes së pavarësisë së Kosovës. Në një memorandum dërguar Departamentit Amerikan të Shtetit, Presidenti Bush tha se furnizimi me artikuj mbrojtës dhe shërbime mbrojtëse për Kosovën do ta forcojë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe do të promovojë paqe botërore. Një zyrtar i lartë amerikan tha se autorizimi, që u bë pasi Shtetet e Bashkuara e njohën pavarësinë e Kosovës, konsiderohet se është pjesë e procesit normal të krijimit të marrëdhënieve me qeverinë e re. Shtëpia e Bardhë njoftoi se me këtë hap, Presidenti Bush do të forcojë raportet e sigurisë së Shteteve të Bashkuara me Kosovën, do ta promovojë sigurinë dhe stabilitetin në gjithë Ballkanin dhe do ta përmirësojë kapacitetin e Kosovës për të marrë pjesë në aktivitete paqeruajtëse, do të ndihmojë në luftimin e terroristëve dhe t'i menaxhojë situatat emergjente humanitare. "Parimet aktuale të artikujve mbrojtës ose të shërbimeve mbrojtëse do të shqyrtohen prej rastit në rast, përfshirë edhe respektimin e udhëzimeve relevante dhe kritereve që i përmban politika e Transferimit të Armatimit Konvencional", thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.Kosova mirëpret lajmin Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, duke komentuar vendimin e Presidentit Bush, theksoi se bashkëpunimi i Kosovës me SHBA-në nuk ka përfunduar ditën kur është pavarësuar Kosova. Edhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi këtë bashkëpunim duke refuzuar të njoftojë për çfarë armatimesh bëhet fjalë. Reagimi rus Rusia ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit NATO-Rusi për të diskutuar autorizimin e Shteteve të Bashkuara që të furnizojë me armë Kosovën. Ambasadori rus në NATO, Dmitry Rogozin, tha se "ndihma ushtarake amerikane për Kosovën synon të armatosë ish-terroristët dhe se ky hap mund të çojë drejt përplasjeve të reja terroriste në Ballkan. T'u japësh armë ish-terroristëve për luftën kundër terrorizmit, të paktën duket zbavitëse, në mos më keq. Dihet se ata që janë në pushtet në Kosovë kanë ardhur si organizatorë dhe liderë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën shumë shtete e njohin si organizatë terroriste", tha Rogozin.Kritikat e Koshtunicës Kryeministri në largim i Serbisë, Vojisllav Koshtunica, e ka kritikuar hapin e Shteteve të Bashkuara për të armatosur Kosovën, duke e vlerësuar si një hap i gabuar, i cili mund ta destabilizojë Ballkanin. "Në Kosovë tashmë ka tepër armatim dhe në vend të armatimit shtesë të shqiptarëve, do të ishte më mirë që Amerika t'i kthehet respektimit të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Në Kosovë nuk nevojiten armë të reja, por bisedime të reja", tha ai duke shtuar se vendimi i Presidentit amerikan i thellon problemet, të cilat u shkaktuan nga shkelja e Rezolutës 1244 dhe miratimi i Uashingtonit që Prishtina njëanshëm të shpallë pavarësinë", ka thënë Koshtunica. Serbët e Kosovës Lideri i Këshillit Nacional serb për Mitrovicën, Nebojsha Joviç, ka kërkuar nga Kombet e Bashkuara dhe Rusia që të pengojnë furnizimin e Kosovës me armatim amerikan. Sipas tij, duhet një reagim urgjent i kreut të OKB-së, Ban Ki Mun dhe të Rusisë për një mbledhje të Këshillit të Sigurimit, në të cilën do të dënohej dhe pengohej një veprim i tillë i Amerikës.Serbia tërheq ambasadorët nga rajoniSerbia i ka tërhequr ambasadorët e saj nga Hungaria, Kroacia dhe Bullgaria si përgjigje ndaj njohjes që këto vende i bënë Kosovës. "Kjo është një goditje, është një hap prapa", ka komentuar ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, duke shtuar se homologët e tij të tre vendeve përkatëse i kanë thënë atij se janë nën presion të madh për të njohur Kosovën. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Beograd tha se ambasadorët do të duhet të kthehen në Serbi brenda 48 orëve. GNK: Nuk duhet të lejohet ndarja e KosovëSPërfaqësuesja e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, Sabinë Freizer, ka komentuar për BBC se komuniteti ndërkombëtar duhet ta ndjekë me shumë kujdes situatën në Kosovë, për të evituar tensionimin e situatës atje dhe në rajon. "Ndërkombëtarët nuk duhet të lejojnë një ndarje të veriut të Kosovës. Eshtë shumë e rëndësishme që Kombet e Bashkuara dhe KFOR-i të koordinojnë planin", tha Frejzer.