E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet gazi për në BE, Rusia e Ukrainë rinisin ‘sherrin’

 

Komisioni Evropian është ankuar se në Evropë ka rrjedhur shumë pak gaz rus përmes Ukrainës, disa orë pasi Rusia konfirmoi se e ka rifilluar dërgesën. Zëdhënësja e komisionit, Pia Ahrenkilde Hansen u bëri thirrje të dyja palëve t’u përmbahen zotimeve të tyre. Por divergjencat mes dy palëve kanë rinisur, duke sjellë telashe të reja për vendet evropiane me temperatura të ulëta.
Gazpromi rus akuzoi dje Ukrainën se ajo po e bllokon transitin e gazit, por Ukraina tha se rrjedha e gazit është goditur nga shkaku i mungesës së koordinimit nga pala ruse. “Informata që kemi nga monitoruesit tanë në Rusi është se po rrjedh shumë pak gaz apo aspak. Në këtë çast, nuk do të shpejtojmë me konkluzionet përse ndodh kjo. Por kjo situatë është shumë serioze dhe duhet të përmirësohet shpejt”, tha Hansen. Problemet për furnizimin me gaz nga Rusia përmes transitit në Ukrainë kanë nisur disa ditë më parë. Javën e kaluar Rusia i ndërpreu dërgesat e gazit përmes Ukrainës për në Evropë, duke e akuzuar Ukrainën për vjedhjen e gazit, akuza të cilat Ukraina i ka mohuar. Rusia ra dakord të rifillojë dërgimin e gazit pas miratimit të kushteve të saj për vendosjen e monitoruesve evropianë dhe rusë përgjatë skemës së transitit. Të dyja palët përfundimisht u pajtuan që monitoruesit evropianë t’i vëzhgojnë pikat e furnizimit me gaz të Evropës. Por
Komisioni Evropian tha se monitoruesve të BE-së nuk u është lejuar veprim i plotë te qendrat e shpërndarjes së gazit në Rusi dhe Ukrainë. Shefi i Gazpromit, Alexej Miller, tha se “pala ruse besoi se dera për gazin rus ishte hapur që të hënën në mbrëmje, por sërish është Ukraina ajo që bllokon livrimin e gazit”. Sipas DW, Ukraina e ka konfirmuar bllokimin e gazit për shkak të kushteve të padurueshme që ka vënë Rusia për këtë proces.  Ndërkohë, ekspertët ndërkombëtarë që duhet të kontrollojnë në stacionet e matjes së gazit në Ukrainë dhe në Rusi si dhe përgjatë rrjetit kanë nisur punën. Ata duhet të kontrollojnë edhe nëse Ukraina devijon gaz pa të drejtë, duke evituar gjykimin dhe duke shprehur matjet e sakta teknike për gazin, që kalon në vijën kufitare perëndimore të Ukrainës drejt konsumatorëve perëndimorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›