E Shtunë, 31 Tetor 2026

Odhise Paskali përmes veprave të panjohura

 

Alma Mile

Kush e ka parë dhe nuk ka admiruar mjeshtërinë, me të cilën është krijuar portreti i të uriturit, apo nuk ka ndërtuar imazhin e Heroit Kombëtar, sipas bustit të realizuar nga Odhise Paskali. Tanimë ofrohet një mundësi më shumë për të shijuar veprën e skulptorit. Me rastin e 105-vjetorit të lindjes, nën kujdesin e së bijës, Florianës, në hollin e Muzeut Historik Kombëtar do të hapet një ekspozitë me veprat origjinale të skulptorit, Odhise Paskali. Hapja e kësaj ekspozite, të titulluar “Ringjallja e Paskalit”, më 17 janar, përkon edhe me ditëlindjen e Skënderbeut. Kjo është edhe arsyeja, pse në kolazhin e veprave të zgjedhura për këtë rast janë edhe disa krijime të famshme, kushtuar heroit. Një ndër to është busti i krijuar në Kukës në vitin 1939, kopje të së cilit ndodhen në Zvicër, dhe në Gjenevë, apo përmendorja 4 metra e lartë, e krijuar në vitin 1983 e që ndodhet në pavijonin e Mesjetës në Muzeun Historik Kombëtar. Sipas kuratorit të kësaj ekspozite, Leonardo Voci, janë rreth 25 punët që do të ekspozohen, të cilat bëjnë pjesë në koleksionin privat të familjes Paskali. Disa prej tyre, të përfunduara, apo bocete, publikohen për herë të parë. Kështu publikohet për herë të parë boceti i veprës “Pjelloria”, ku paraqitet një grua nudo, gjysmë e shtrirë, e rrethuar nga dy vogëlushë, një prej të cilëve mban një kosh me fruta ndër duar. Është një lloj perëndie e pjellorisë, e trajtuar si në mitologjitë antike. Bëhet fjalë për një skulpturë që daton vitin 1940 e që vepra origjinale ndodhet në oborrin e Pallatit Mbretëror në Tiranë. Do të ekspozohet një bust i papublikuar më parë i Abdyl Frashërit, për të vazhduar me një seri medaljonesh, të cilat skulptori i ka realizuar në vitet e para të krijimtarisë së tij, si ajo kushtuar prof. Ettore Stampinit, e realizuar në Itali në vitin 1935, apo Katy Pulcherrima e vitit 1927. Por më interesantja ndër to është ajo e titulluar “E puthura”, vepër e vitit 1935, ku paraqitet një vajzë dhe një djalë nudo, duke shkëmbyer një puthje. Por do të ketë edhe vepra e bocete më të njohura, si buste të vëllezërve Frashëri, apo rilindësve të tjerë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur në hollin e MHK-së, deri në 17 prill.
“Ringjallja e Paskalit” është një homazh që i bëhet skulptorit të madh në përvjetorin e lindjes së tij, një risjellje në jetë e vetë atij përmes veprave, të cilave u dha shpirt e ku ka dhënë një pjesë të vetes. Odise Paskali mund quhet pa frikë, themeluesi i skulpturës shqiptare. Lindi në Përmet në 22 dhjetor 1903 e u nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, në 13 shtator 1985. Studioi për Letërsi dhe Filozofi në Torino të Italisë, ku më pas vazhdoi studimet për histori arti në vitin 1927. Janë vite shumë aktive, gjatë së cilës krijoi vepra në skulpturë, por edhe në publicistikë. Gjithashtu, u angazhua në shoqëri atdhetare e dashamirëse të artit. U bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino dhe për botimin e revistës së studentëve shqiptarë të atjeshëm në vitet ‘20. Ndërsa në vitet ‘30 e shohim nismëtar të shoqatës “Miqt e Arbrit”; si organizator të së parës ekspozitë të arteve figurative dhe të çeljes së Shkollës së Vizatimit në Tiranë.
Paskali na ka lënë pas rreth 600 vepra në skulpturë, ndër të cilat më të njohurat janë “I urituri”, “Skënderbeu”, “Shokët”, “Çerçiz Topulli”, “Partizani fitimtar”, “Ushtari i panjohur”, “Vëllezërit Frashëri”, “Naum Veqilharxhi”, “Isa Boletini, etj”. Shumë syresh janë të shpërndara në qytete të ndryshme të Shqipërisë, që nga Shkodra, në Korçë, në qytetin e tij të lindjes, Përmet, etj.

Veprat mbi kartëmonedha
Veprat e Paskalit i mbajmë çdo ditë nëpër xhepa. Imazhet e disa prej veprave më të njohura të tij janë përdorur nga Banka e Shqipërisë mbi monedha e kartëmonedha. Të gjithë e kujtojmë imazhin e “Partizanit fitimtar” të gdhendur mbi monedhën 1-lekëshe, për të vijuar më tej me 50-lekëshin e famshëm ngjyrë të kuqërremtë, ku ishte stamposur imazhi i bustit të Skënderbeut, pastaj 100-lekëshi, ku është stamposur “Ushtari i panjohur”, 500-lekëshi me “Naim Frashërin”, 1 mijë lekëshi i gjelbër sërish me bustin e Skënderbeut dhe prerja më e madhe dhe më e re, 5 mijë lekëshi, ku gjendet monumenti i heroit, në sheshin që mban emrin e tij, e ku Paskali ka qenë bashkautor.

Busti i lakmuar
Busti i Skënderbeut (1939), duket se është vepra më e lakmuar e skulptorit. Me një urdhër të vitit 1999, ky bust u hoq nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe u bë “pronë” e Kryeministrisë. Eshtë ngulmuar që vepra të kthehet në galeri. Të interesuar për të janë edhe “tregtarët zanatçinj”, të cilët kanë riprodhuar në mënyrë të paligjshme veprën e Paskalit. Disa vite më parë, pas denoncimit të së bijës, policia shoqëroi në komisariat një shtetas që merrej me derdhjen e allçisë dhe sekuestroi kallëpe të bustit dhe vepra të derdhura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›