E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasësi, pranga në mal pas 15 orësh

 

Nga fshati Podgorie/ JORGJETA GJANÇI

Plot 15 orë arrati në malin me borë, ka zgjatur aventura e të akuzuarit për vrasje nga fshati Podgorie i Korçës, Reshit Adri.
Që nga pasditja e së hënës u shpëtoi prangave të policisë, derisa u arrestua rreth orës 09:45 të ditës së djeshme pranë lapidarit të Dëshmorëve të Çetës në malin e Thatë. Në pamje i rraskapitur, por i vendosur për të vazhduar të qëllojë ndaj policisë, pasi pranë kishte dhjetëra fishekë e granata dore. Forcat e RENEA-s e kanë mbërthyer nga pas shpine, duke mbyllur me sukses operacionin e lodhshëm, i cili vuri rreth 80 forca policie të Korçës e specialë në ndjekje të të akuzuarit për një vrasje e një plagosje.
Në fshatin Podgorie, dje vazhdonte të sundonte ankthi i përjetuar një ditë më parë, atëherë kur Reshit Adri për gati dy orë rresht qëllonte me breshëri automatiku ku të mundte. Banorët, grupe-grupe flisnin për tmerrin që kishin përjetuar nga terrori i shkaktuar prej tij. Ata tregonin se më të kërcënuar kishin qenë ata që jetonin në lagjen e sipërme të fshatit, ku jetojnë fiset Adri dhe Laze. Aty u krye vrasja e Lulëzim Lazes, aty Reshiti plagosi edhe vajzën e motrës, që donte ta ndalte në marrinë që kishte ndërmarrë për të vrarë këdo që i dilte përpara. “Mirë që nuk shkoi nga shkolla, se do të kishte masakruar gjithë fëmijët tanë”, thoshin banorët. Pas vrasjes së Lazes, ai kishte përfunduar në qendër të fshatit mbi zetorin e tij, të mbushur me municione. Teksa qëllonte me armë, nga të mundte thërriste: “Ku është policia, le të vijnë këtu. Unë do të marr hak se më kanë vrarë djalin!”, duke akuzuar banorët e fshatit për vetëvrasjen e të birit 19-vjeçar. Bashkëfshatarët për t’u shpëtuar plumbave të armës së tij fshiheshin nëpër banesa së bashku me fëmijët. Prej sheshit të fshatit, Reshiti pa se në fshat po hynin varg makinat e policisë, ndaj vazhdimisht duke qëlluar me automatik, la qendrën e tij dhe u ngjit te lagjja e sipërme ku kishte edhe shtëpinë. Hyri në shtëpi duke ulërirë se do t’i vriste gruan e dy djemtë e tij. Ata e ndjenë rrezikun dhe lanë qoshen e fshehtë të shtëpisë ku ishin fshehur e u larguan nga sytë këmbët për t’i shpëtuar vrasjes. Nëpër errësirë dëgjoheshin thirrjet e tij: “Edhe ju do t’u vras! Do të vij kudo që të shkoni dhe do t’u vras”. Gruaja dhe djemtë vraponin të ndjekur nga plumbat e automatikut të Reshitit, derisa arritën të dilnin për t’u fshehur në mal. Paraditen e djeshme, as e shoqja dhe as djemtë, një 14 dhe tjetri 17 vjeç, nuk ishin kthyer ende në shtëpi, pasi nuk e dinin fatin e kryefamiljarit.
Të pyetur mbi arsyet pse ndodhi ngjarja e së hënës, banorët e fshatit e lidhin me disa mëri që mes familjes Adri dhe Laze ishin shfaqur prej kohësh. Por, pas vetëvrasjes së djalit, Reshiti ishte rënduar nga ana psikologjike, deri në terrorin e shkaktuar. Mes banorëve të Podgories qarkullonte mendimi se Reshiti duhej të kishte mëri dhe inat me banorët e fisit Laze. Ata kujtonin se një nip i Reshitit ishte fejuar me një vajzë nga fisi Laze dhe para disa muajsh e ndau e u largua në Amerikë. Pas kësaj ndarjeje, mes dy krushqive kishte ndodhur dhe një tjetër divorc, duke e përkeqësuar marrëdhënien mes dy fiseve. Këto prishje krushqish komentoheshin nën zë si shkaku i hakmarrjes së Reshitit. Me këtë fakt mundoheshin të shpjegonin edhe faktin që Reshiti, pasi e qëlloi një herë Lulëzimin, e ndoqi deri tek porta e shtëpisë për ta vrarë fare, mandej qëlloi nga shtëpitë e Lulëzimit, xhaxhait dhe kushërinjve të tij, pa pyetur se mund të vriste të tjerë persona, që atë çast ishin brenda banesave të tyre. I marrë në pyetje pas arrestimit, edhe autori ka pranuar se kishte inatin me Lulzim Lazen, ndonëse dëshmia e dhënë prej tij është cilësuar si tepër kontradiktore nga grupi hetimor.

Viktima pa tmerr me sy, e ndoqi me automatik

Një tmerr ka përjetuar dhe viktima Lulzim Laze, para se të jepte shpirt nën breshërinë e plumbave të marra nga ana e Reshit Adrit. Kushëriri i 41-vjeçarit, Valter Xhone, tregon se Lulzimi me të shoqen dhe vajzën 14 vjeçe po shkonte te shtëpia e vjehrrit, kur ka hasur në rrugë Reshitin mbi zetor. “Rruga ishte e ngushtë dhe në mes të saj zetori rrëshqet dhe përmbyset. Reshiti i nervozuar zbret dhe i bërtet Lulzimit, pse kishte prishur rrugën. Nga zetori ka nxjerrë një automatik, duke e plagosur Lulzimin në këmbë. Të tre kthehen e hyjnë në shtëpi. Vajza hyri e para dhe u fsheh, por Lulëzimi pandehu se ishte ende jashtë dhe doli ta shihte. Në këtë çast u përball tek dera me Reshitin, i cili vazhdonte të qëllonte mbi muret e dritaret e shtëpisë së vëllezërve Laze. Kur pa Lulzimin iu drejtua: “Akoma gjallë je, mor qen?”, duke derdhur mbi të një breshëri automatiku. Pas këtij çasti ndenji para viktimës dhe shtëpisë së tij gjysmë ore duke qëlluar. I pyetur rreth konfliktit që kishte lindur pas dy krushqive të prishura, vëllai i viktimës, Iliriani, u përgjigj: “Nuk besoj se ka qenë ky shkaku. Nga prishja e krushqisë mbetëm ne të fyer, se na ndanë vajzën. Megjithatë ne nuk mbajtëm mëri. Kur iu vra djali i shkuam të gjithë për ngushëllim. Pas vrasjes së djalit vumë re se ai kishte filluar të lajthiste nga mentë. Çdo ditë e gjeje tek varri i djalit dhe me fshatarët gati nuk fliste fare. U bë edhe më i heshtur se më parë. Ndoshta këtu duhet kërkuar edhe shkaku i tragjedisë sonë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›