Vrau grabitësin në banesë, “arrest shtëpie” biznesmenit
TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë “arrest shtëpie” për biznesmenin Fehim Llanaj, i arrestuar për vrasjen në banesën e tij të 34-vjeçarit Pjetër Pjetri, i cili i kishte hyrë në banesë për të grabitur. Para gjykatësit të gatshëm të kësaj jave në Gjykatën e Tiranës, 58-vjeçari Llanaj shpjegoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur, duke u gdhirë dita e shtunë në banesën e familjes së tij. Sipas tij ishte ora rreth 02:30 kur bashkëshortja, e cila kishte dëgjuar zhurma në katin e parë të banesës ka zgjuar bashkëshortin për të parë. Aty ai është përleshur me një nga grabitësit, të cilit i ka rënë pistoleta. Me armë në dorë ai është ngjitur një kat më sipër ku është përballur me grabitësin tjetër, i cili kishte një levë në dorë. “Në këtë moment, duke mos pasur rrugë tjetër, e qëllova atë drejt dhe më pas njoftova policinë”, pohoi i arrestuari. Po kështu, organi i akuzës pohoi se ngjarja e rëndë kishte ardhur, pasi dy grabitësit të armatosur me leva hekuri dhe pistoleta hyjnë në katin e parë të servisit “Llanaj” me qëllimin për të vjedhur. Pas diktimit nga i zoti i shtëpisë, njëri prej tyre, i cili tashmë është identifikuar dhe është shpallur në kërkim është përballur me të në katin e parë. Gjatë përleshjes, atij i ka rënë përtokë arma që kishte me vete, të cilën e ka marrë pronari i kompleksit “Llanaj”, që ka qëlluar mbi grabitësin tjetër. Pas kësaj prokurori i komunikoi të pandehurit akuzën “vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike” dhe i kërkoi gjykatës vendosjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie”. Avokati Idajet Beqiri, mbrojtësi i të pandehurit pohoi se midis familjes së viktimës Pjetër Pjetri dhe klientit të tij Llanaj, nuk kishte hasmëri. Sipas avokatit, tre vjet më parë xhaxhai i viktimës, nga Puka është qëlluar me armë gjatë një përplasje në banesë me një person, që i kishte hyrë për të grabitur. Ngjarja ka ndodhur tre vjet më parë ku janë qëlluar për vdekje i zoti i shtëpisë, që ishte xhaxhai i viktimës së biznesmenit si dhe grabitësi. Kjo sipas avokatit ishte një shembull i mirë për familjen Llanaj në mënyrë që të mos krijonte konflikte të tepërta pas vrasjes së djalit të tyre duke grabitur. Sipas mbrojtësit të biznesmenit, gjykata në caktimin e masës së sigurisë duhet të merrte në konsideratë të gjitha rrethanat lehtësuese ndaj tij. fa.ma.