Izraeli ‘sulmohet’ nga Jordania, Siria e Libani
Rajoni i Lindjes së Mesme rrezikon të kthehet në një fushë beteje ‘të fshehtë’ mes vendeve arabe dhe Izraelit hebre. Edhe pse qeveritë e shteteve lindore kanë refuzuar deklaratat e Jeruzalemit, se ushtarë të tij janë sulmuar nga kufitarët e fqinjëve, sulmet e rastësishme duket se mund të vlerësohen më shumë se sporadike. Ushtria izraelite ka njoftuar se një patrullë e saj është sulmuar nga persona të armatosur nga Jordani. Në incidentin që ndodhi në kufirin jugor të Izraelit nuk ka pasur të lënduar. Agjencia e lajmeve në Jordani citoi burime ushtarake të kenë mohuar pretendimet e Izraelit. Dy ditë më parë një sulm i ngjashëm ndodhi edhe nga territori i Sirisë dhe javën e kaluar tri raketa nga Libani u hodhën në Izrael, i cili po vazhdon ofensivën ajrore, tokësore dhe detare në Rripin e Gazës me shpërthime të mëdha mbi qytet. Ndërkohë, Hamasi ka lënë një dritare hapur për mundësinë e pranimit të planit të armëpushimit. Një lider i lartë i Hamasit, Mussa Abu Marzuk tha të martën në Kajro, Egjipt se ekziston shansi që lëvizja e tij islamike palestineze në luftë me Izraelin, të pranojë planin e Egjiptit për armëpushim, me disa modifikime. Plani i Egjiptit bën thirrje për armëpushim për një kohë të para-përcaktuar, duke siguruara tunelet, të cilat Izraeli tha se përdoren për të dërguar armë kontrabandë nga Egjipti në Gaza, duke rinisur bisedimet e pajtimit me Palestinën. Konflikti ka hyrë në ditën e nëntëmbëdhjetë sot dhe gjatë kësaj kohe janë vrarë rreth 950 palestinezë dhe janë plagosur rreth 4 000 të tjerë, mes të cilëve shumë fëmijë. Situata alarmuese, pasi ka mbledhur mjaft negociatorë ndërkombëtarë dhe diplomatë të shteteve më të fuqishme në Lindje për bisedime armëpushimi ka detyruar kreun e Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun të shkojë në rajon. Pritet që Ban Ki Mun të ushtrojë ‘presion’ në Izrael dhe tek Hamasi, që të ndalojnë luftimet dhe të lejojnë ndihmat humanitare në Gaza. Duke shprehur zhgënjimin për mosrespektimin e rezolutës të OKB-së nga të dyja palët, Ban Ki Mun tha se planifikon t’i rrisë përpjekjet diplomatike për të ndalur ofensivën tokësore dhe ajrore të Izraelit në Gaza, si dhe sulmet me raketa të Hamasit në territorin Izraelit. Kreu i OKB-së do të kthehet në Nju Jork më 20 janar, para se Barak Obama të bëjë betimin për president. Ban Ki Mun ka inkurajuar Obamën, që Lindjen e Mesme ta vendosë në prioritet të lartë.